Zëdhënsja e qeverisë “demanton” raportet që liria e medias ka pësuar rënie për 9 pikë!

Në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, zëdhënësja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, ka deklaruar se një shoqëri demokratike nuk mund të ekzistojë pa media të lira e profesionale. Sipas saj informimi i drejtë dhe i paanshëm është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i qytetarëve dhe forcohet demokracia.

“Liria e mediave nuk është vetëm e drejtë e gazetarëve, por një e drejtë e çdo qytetari për të qenë i informuar në mënyrë të saktë dhe transparente. Ajo nënkupton përgjegjësi, integritet dhe respekt për të vërtetën, por edhe mbrojtje nga çdo formë presioni apo ndikimi”, thotë zëdhënësja e Qeverisë.

Por raportet e thonë të kundërtën –

Liria e medias në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rënie. Në dy vitet e fundit ka rënë për 9 pozita duke kaluar në kategorinë “problematike”. Sipas raportit të “Reporterët pa kufij”, edhe pse gazetarët nuk punojnë në një mjedis armiqësor, dezinformatat e përhapura gjerësisht dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në uljen e besimit shoqëror ndaj mediave, duke i bërë mediat e pavarura të cenueshme ndaj kërcënimeve dhe sulmeve. Për më tepër, zyrtarët qeveritarë kanë tendencë të mbajnë qëndrime të dobëta dhe përçmuese ndaj gazetarëve.