BDI: Pesha e zëvendëskryeministrave shqiptarë në Qeveri është zero

BDI akuzon se që nga qershori i vitit 2024, asnjë nga zëvendëskryeministrat e parë shqiptarë në Qeveri nuk ka kryesuar asnjë seancë të Qeverisë. Sipas partisë, në këtë periudhë Izet Mexhiti, Bekim Sali dhe Arben Fetai kanë pasur zero seanca të kryesuara. BDI vlerëson se kjo tregon, siç thotë, peshën reale të shqiptarëve në procesin e vendimmarrjes qeveritare. Partia opozitare pretendon se funksioni i zëvendëskryeministrit të parë është reduktuar në një rol formal dhe dekorativ. Sipas BDI-së, në qeveritë e kaluara ky funksion kishte rol real në bashkëqeverisje dhe vendimmarrje. “Shifra është e pamëshirshme: zero seanca të kryesuara me zero vendimmarrje”, thuhet në komunikatën e BDI-së.