Nafie Selmani ka reaguar ashpër ndaj Zeqirija Ibrahimit, duke e vënë përballë një pyetjeje që, sipas saj, ai nuk mund ta shmangë: A je më kompetent të komentosh për Islamin apo për gjuhën shqipe?
Selmani thotë se, duke e njohur Ibrahimin si gjuhëtar të shqipes, fillimisht kishte menduar se reagimi i tij kishte të bënte me situatën alarmante të gjuhës shqipe në institucionet dhe tabelat rrugore. Por, sipas saj, ai ka zgjedhur të merret me diskutime rreth Islamit dhe modernizmit të tij.
Dhe këtu qëndron thelbi i reagimit të Selmanit: kur shqipja po hiqet nga tabelat dhe po përballet me probleme në institucionet shtetërore, ku është Zeqirija Ibrahimi?
Selmani nuk ia mohon të drejtën të flasë për fenë apo për çfarëdo teme tjetër, por e sfidon publikisht si gjuhëtar dhe si funksionar të VLEN-it: pse nuk e përdor zërin dhe kompetencën e tij për të mbrojtur gjuhën shqipe pikërisht tani, kur partia e tij është pjesë e pushtetit?
“Zeqirija, a je më KOMPETENT të komentosh për Islamin apo për gjuhën shqipe?”, pyet Selmani.
Ajo kujton gjithashtu se dikur kishte qenë ndër personat që e mbronin Ibrahimin ndaj kritikave, ndërsa sot, sipas saj, ai duhet të japë përgjigje se përse nuk reagon me të njëjtën energji kur bëhet fjalë për gjuhën shqipe.
Pyetja që Nafie Selmani i ka bërë Zeqirija Ibrahimit është e drejtpërdrejtë dhe politike: nëse je gjuhëtar i shqipes dhe je pjesë e një partie që qeveris, kur do të flasësh për shqipen?
Sepse të komentosh për Islamin është e drejtë personale. Por kur gjuha shqipe po përballet me përjashtim dhe nënçmim, heshtja e atyre që duhet të jenë zëri i saj bëhet edhe më e rëndë.




