Protestat e studentëve, Ademi: Ftojmë të gjithë të na përkrahin për të drejtën e përdorimit të Gjuhës Shqipe

Mevlan Ademi, orgnaizator i protestës së studnetëve për provimin e jurisprodencës në gjuhën shqipe, ka deklaruar se kërkesa që duhej të ishte zgjidhje teknike, tani më po kalon në mungesë të neglizhimit të gjuhës shqipe në institucione shtetërore.

“Studentët nuk do të heshtin por do t’i kërkojnë të drejtat e tyre që janë të garantuara me kushtetutë”  – kështu deklaruan organizatorët e protestës së studentëve ku edhe zyrtarisht paralajmëruan protestën e 8 majit në Shkup. Sipas tyre, ata po rikthehen aty ku edhe filluan.

“Para jush dhe live, shfrytëzojmë rastin ta paralajmërojmë edhe zyrtarisht protestën e 8 majit. Të hënën, nga ora 16:30, grumbullohemi te Ora e Gurit dhe më pas do të marshojmë. Po rikthehemi pikërisht nga universiteti ku filloi edhe protesta e parë dhe ku u paralajmërua protesta e parë. Nga ky universitet po e nisim edhe protestën e radhës dhe së bashku me studentët e tre universiteteve shqiptare — Universitetin “Nënë Tereza”, Universitetin e Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore — do të tregojmë se studentët nuk heshtin dhe se do t’i kërkojnë të drejtat tona, të garantuara me Kushtetutë dhe me ligj”, tha Besar Sulejmani nga Unioni i Studentëve.

Sipas njërit, nga iniciatorët e protestës, Mevlan Ademi, protesta fillimisht kishte të bënte me probleme teknike në procesin e studimeve, por më pas u zgjerua në kërkesë për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut. Ai bëri thirrje për unitet të shoqërisë civile, profesorëve, studentëve dhe faktorëve politikë, duke theksuar se gjuha shqipe duhet të bashkojë qytetarët.

“Mesazhi fillimisht ishte i orientuar rreth një problemi teknik që kishte të bënte me përmirësimin e procesit të studimeve, por më pas u zbuluan shumë probleme të tjera dhe tani kjo është shndërruar në një protestë për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut. Edhe unë mendoj që të gjitha shtresat e shoqërisë civile, profesorët, nxënësit, faktorët politikë dhe të gjithë qytetarët duhet të jenë të bashkuar. Gjuha jonë duhet të na bashkojë e jo të na ndajë. Në fund të ditës, të gjithë të njëjtin hall e kemi”, u shpreh Mevlan Ademi – iniciator i protestës.

Në mbështetje të studenteve shqiptarë ka dalur edhe ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko për të cilin protesta interpretohet si një betejë për të ardhmen dhe jo vetëm një revoltë studentore. Ai e cilëson këtë situatë si kthim pas për të drejtat e shqiptarëve. Edhe Deputetja e PD, Jorida Tabaku, solidaritet me studentët shqiptarë sipas saj, mbrojtja e gjuhës amtare nuk është vetëm një çështje politike, por një çështje dinjiteti njerëzor. Ka reaguar edhe Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe aktualisht deputet, Enver Hoxhaj, sipas të cilit shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor shtetformues dhe se zëri i studentëve duhet të dëgjohet nga institucionet. Në mbështetje të studenteve kanë dalur edhe figura të tjera nga vendi dhe jashtë.