Mickoski nuk e mbështetë dygjuhësinë në gjyqësor por zotohet të bëj të mundur provimin shqip të jurisprudencës

Unë kurrë nuk do ta mbështes dygjuhësinë ose shumëgjuhësinë në gjyqësor. Dihet se duhet të kemi një ligj, pra ligjin maqedonas, për të siguruar sundimin e ligjit. Po, do të bëjmë gjithçka që të gjejmë një zgjidhje, në mënyrë që kandidatët që duan ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre, në këtë rast shqip, dhe ndoshta edhe në gjuhë të tjera, ta bëjnë këtë, por në të njëjtën kohë të kemi kritere të barabarta në vlerësim. Dhe unë kam qëndruar pranë këtij qëndrimi që nga dita e parë deri më sot, tha kryeministri Hristijan Mickoski pasditen e sotme, duke iu përgjigjur pyetjes së bërë nga deputetja Ilire Dauti.

Siç theksoi Mickoski, gjyqësori duhet të jetë në një gjuhë, dhe ajo është maqedonishtja. Nëse të gjithë e pranojnë këtë fakt, tha ai, duhet të gjendet një mënyrë që dhënia e provimit të jurisprudencës të jetë njësoj e vlefshme për të gjithë.

Ai kujtoi mendimin e Komisionit të Venecias, i cili, vuri në dukje ai, deklaroi shumë qartë dhe saktë – dygjuhësia në gjyqësor duhet të braktiset dhe vendi duhet të kthehet në ligjin e viteve 2008-2009.

“Nga viti 2020 deri më sot, 918 kandidatë janë regjistruar për të dhënë provimin e jurisprudencës. Nga këta, 196 ishin shqiptarë, 27 nuk e kaluan provimin, nëntë prej të cilëve u riregjistruan dhe të gjithë e kaluan provimin. Përqindja e kandidatëve shqiptarë që e kaluan provimin është 95.75 përqind sipas metodologjisë aktuale, që do të thotë se nuk mund të flasim për diskriminim. Nuk kam asnjë kundërshtim dhe i qëndroj qëndrimit se të gjithë duhet të jenë në gjendje ta japin provimin në gjuhën e tyre amtare. Komisioni i Venecias u shpreh shumë qartë dhe saktë në mendimin e tij për Ligjin për Gjuhët, duke thënë – “në gjyqësor, dygjuhësia duhet të braktiset dhe ligji nga viti 2008-2009 duhet të kthehet. Belgjika, Zvicra nuk janë një shembull i mirë, ato janë konfederata, federata, po flasim për shtete unitare dhe nuk ka shembull të dytë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se gjyqësori duhet të jetë në një gjuhë, dhe ajo është maqedonishtja, dhe këtu duhet të përfundojë ky diskutim. Nëse të gjithë e pranojmë këtë fakt, duhet të gjejmë një mënyrë që dhënia e provimit të jurisprudencës të jetë e vlefshme në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe nuk shoh ndonjë problem këtu. Ekziston një komision, një ekip ekspertësh kushtetues dhe ligjorë që punojnë për këtë çështje. Shpresoj se ata do të dalin me një zgjidhje. Nuk do të përmendja emrat, sepse është një grup pune për të gjetur një zgjidhje. Shpresoj se ata do të dalin me një zgjidhje për të cilën të gjithë mund të votojmë së bashku”, theksoi Mickoski.

Lidhur me Ligjin për Gjuhët, vuri në dukje ai, një avokat mesatar do të thoshte se është shkruar keq.

“Fatkeqësisht, ata që miratuan Ligjin për Gjuhët atëherë nuk morën parasysh shumë aspekte ligjore. Ndër të tjera, unë nuk jam jurist, jam inxhinier. Por kam lexuar dhe lexoj… dhe çfarë mund të përfundoja? Vetë Ligji thotë se nëse ligjet nuk harmonizohen brenda një viti, atëherë ato harmonizohen automatikisht. Si do ta harmonizoni një ligj të veçantë me një ligj të përgjithshëm? Si do ta harmonizoni Lex Specialis me Lex Generalis? Unë nuk jam jurist, do të më shpjegoni ju. Përveç nëse anëtarët e Kuvendit e bëjnë këtë. Pyetja e dytë është pse ato ligje nuk u harmonizuan atëherë”, nënvizoi kryeministri.