Selimi: Termi “Maqedonia e maqedonasve” na kthen në vitet e ’90

Në momentin kur njëra palë fillon ta konsiderojë kompromisin si humbje, ajo përpiqet ta zhbëjë atë. Kur pala tjetër kupton se marrëveshja nuk e mbron më, ajo fillon të humbasë arsyen për t’i besuar asaj. Kështu lind spiralja e konfliktit

Nga Sefer SELIMI

Në politikë ekzistojnë dy mënyra themelore për të menaxhuar interesa që përplasen: kompromisi ose imponimi. E para kërkon që secila palë të heqë dorë nga një pjesë e pretendimeve të veta për të ruajtur një tërësi të përbashkët. E dyta mbështetet mbi bindjen se ai që ka më shumë fuqi, më shumë vota apo më shumë numra ka edhe të drejtën të vendosë.

Në shoqëritë multietnike, dallimi ndërmjet këtyre dy modeleve nuk është thjesht çështje e kulturës politike. Është dallimi ndërmjet stabilitetit dhe konfliktit.

Maqedonia e Veriut e ka mësuar këtë në mënyrën më të dhimbshme. Për një dekadë pas pavarësisë, shteti funksionoi mbi logjikën se shumica numerike kishte legjitimitetin të përcaktonte karakterin e shtetit. Shqiptarët mund të merrnin pjesë në zgjedhje, mund të kishin deputetë, ministra dhe parti politike, por vetë arkitektura e shtetit përcaktohej nga shumica. Gjuha shqipe ishte e përjashtuar nga përdorimi zyrtar në nivel shtetëror. Shqiptarët ishin pothuajse të padukshëm në shumë institucione. Universiteti në gjuhën shqipe trajtohej si kërcënim. Simbolet kombëtare prodhonin përplasje. Policia dhe aparati shtetëror perceptoheshin më shumë si instrumente të shumicës sesa si institucione të përbashkëta.

Sistemi ekzistonte. Por kompromisi mungonte.

Në vitin 2001 erdhi fatura.

Marrëveshja e Ohrit nuk ishte fitore e shqiptarëve dhe as humbje e maqedonasve. Ishte pranimi se shteti nuk mund të funksiononte më sipas parimit se 50 për qind plus një votë të jep të drejtën të vendosësh për gjithçka. Kompromisi ishte shumë i qartë.

Shqiptarët hoqën dorë nga ndryshimi territorial i shtetit dhe pranuan Maqedoninë si shtet unitar. Në këmbim, shteti duhej të pushonte së funksionuari si monopol politik dhe institucional i shumicës. Prej këtij kompromisi lindën Badenteri, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, decentralizimi, avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe një kulturë e re e ndarjes së pushtetit.

Asnjëra palë nuk mori gjithçka që dëshironte.

Pikërisht për këtë quhet kompromis.

Problemi fillon kur, 25 vjet më vonë, kompromisi fillon të interpretohet si padrejtësi.

Kur përfaqësimi i drejtë paraqitet si pengesë për “meritokracinë”. Kur përdorimi i gjuhës shqipe trajtohet si privilegj i tepërt. Kur Badenteri shihet si instrument bllokues. Kur decentralizimi konsiderohet dobësim i shtetit. Kur respektimi i vullnetit politik të shqiptarëve interpretohet si shantazh ndaj shumicës. Nëse secili mekanizëm i kompromisit paraqitet si barrë, atëherë pyetja është e pashmangshme: Çfarë mbetet nga kompromisi?

Nuk mund të thuash se je për Marrëveshjen e Ohrit dhe njëkohësisht të konsiderosh të dëmshme instrumentet përmes të cilave ajo funksionon. Nuk mund ta mbështesësh paqen e vitit 2001, por të kundërshtosh çmimin politik që e bëri atë paqe të mundur. Paqja nuk ishte falas. Çmimi i saj ishte kompromisi.

Dhe ky çmim nuk u pagua vetëm në vitin 2001. Ai duhet të paguhet çdo ditë nga të dyja palët përmes vetëpërmbajtjes politike, respektimit të të drejtave dhe pranimit se askush nuk mund ta ketë shtetin vetëm për vete.

Sot rreziku më i madh nuk është një vendim i vetëm i qeverisë, një ligj apo një vendim gjykate. Rreziku është rikthimi gradual i një filozofie politike të vjetër: bindjes se kompromiset e vitit 2001 kanë shkuar “shumë larg” dhe se tani duhet korrigjuar balanca në favor të shumicës. Kjo logjikë është jashtëzakonisht e rrezikshme. Çdo kompromis funksionon vetëm për aq kohë sa palët besojnë se alternativa ndaj tij është më e keqe.

Në momentin kur njëra palë fillon ta konsiderojë kompromisin si humbje, ajo përpiqet ta zhbëjë atë. Kur pala tjetër kupton se marrëveshja nuk e mbron më, ajo fillon të humbasë arsyen për t’i besuar asaj.

Kështu lind spiralja e konfliktit.

Fillimisht kontestohet një mekanizëm. Pastaj një e drejtë. Pastaj një parim. Secili rast argumentohet si çështje juridike, administrative apo teknike. Por efekti kumulativ është politik: njëra palë fiton gjithnjë e më shumë hapësirë për të vendosur, ndërsa pala tjetër humbet gjithnjë e më shumë arsye për të besuar se sistemi e mbron. Dhe në një moment pyetja nuk është më: “A funksionon Marrëveshja e Ohrit?”

Pyetja bëhet shumë më e rrezikshme: “Nëse marrëveshja nuk na mbron, pse duhet t’i besojmë asaj?”

Kjo është pika që çdo politikë e përgjegjshme duhet ta parandalojë. Konflikti nuk fillon kur dëgjohet krisma e parë. Konflikti fillon shumë më herët. Fillon kur një komunitet bindet se mund të vendosë vetë sepse ka numrat. Kur komuniteti tjetër bindet se vota e tij nuk mjafton për ta mbrojtur. Kur institucionet humbin perceptimin e neutralitetit. Kur gjuha e tjetrit shihet si kërcënim. Kur mekanizmat e mbrojtjes interpretohen si privilegje. Dhe, në fund, kur kompromisi fillon të perceptohet si dobësi.

Në atë pikë politika pushon së qeni kërkim i marrëveshjes dhe shndërrohet në matje force. Dhe kur politika reduktohet në forcë, fiton ai që ka më shumë numra vetëm për aq kohë sa pala tjetër pranon të luajë sipas atyre rregullave. Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë të shpikë teori për të kuptuar se ku çon kjo rrugë. E ka provuar njëherë. Prandaj Marrëveshja e Ohrit nuk duhet trajtuar si dokument historik që mund ta përkujtojmë çdo 13 gusht dhe ta relativizojmë 364 ditët e tjera.

Ajo është kontrata politike mbi të cilën vazhdon të mbështetet funksionimi i shtetit unitar. Kompromisi sigurisht që ka kosto. Ai të detyron të pranosh gjëra që, po të kishe pushtet absolut, ndoshta nuk do t’i pranoje. Të detyron të ndash pushtetin. Të kufizon shumicën. Të imponon të dëgjosh tjetrin edhe kur nuk dëshiron.

Por kjo nuk është dobësia e kompromisit. Ky është qëllimi i tij. Alternativa është shumë më e shtrenjtë.

Nëse bindemi se kompromisi është i dëmshëm, atëherë do të fillojmë sistematikisht ta eliminojmë atë. Dhe kur t’i kemi eliminuar mekanizmat përmes të cilëve dallimet zgjidhen me marrëveshje, do të mbetet vetëm një mënyrë tjetër për t’i zgjidhur ato: përmes raportit të forcës.

Prandaj zgjedhja për Maqedoninë e Veriut nuk është ndërmjet një kompromisi të mirë dhe një kompromisi të keq. Zgjedhja është shumë më themelore: kompromis ose konflikt. Sepse në një shtet të përbërë nga komunitete me histori, identitete dhe interesa të ndryshme, kompromisi nuk është dobësi.

Është kushti i bashkëjetesës.

Dhe nëse kompromisin e shpallim të dëmshëm, konfliktin e bëjmë të pashmangshëm.