Nëse vozitni me 80 kilometra në orë në një zonë ku shpejtësia e lejuar është vetëm 50 km/h, ndërkohë që keni targa të huaja – do të kaloni pa u ndëshkuar, pasi kamerat e sistemit “Qytet i Sigurt” ende i evidentojnë vetëm shoferët.
Problemi është veçanërisht i theksuar gjatë periudhës së verës, kur nëpër vend tranzitojnë mijëra shoferë të huaj, pa mundësi që të regjistrohet dhe të sanksionohet shpejtësia e tyre apo çfarëdo shkeljeje tjetër para se të kalojnë kufirin e Maqedonisë së Veriut.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) thonë se sistemi “Qytet i Sigurt” këto ditë do të fillojë të funksionojë fillimisht në pikën kufitare “Tabanoc”, ndërsa së shpejti edhe në të gjitha pikat kufitare.
Megjithatë, nuk ka një afat konkret se çfarë nënkupton “së shpejti”.
“Sistemi ‘Qytet i Sigurt’ këto ditë do të fillojë të funksionojë në pikën kufitare Tabanoc, ku të gjithë shoferët e automjeteve me targa të huaja, të cilët sistemi i ka evidentuar se kanë kryer kundërvajtje ose vepër penale në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të njoftohen për shkeljen e kryer, do t’u lëshohet procesverbal për kundërvajtjen në komunikacion me urdhërpagesë, pas së cilës do t’u ofrohet mundësia të paguajnë ose do të dërgohen para gjykatës kompetente me procedurë të përshpejtuar. Kjo mënyrë funksionimi së shpejti do të fillojë të zbatohet në të gjitha pikat kufitare”, thonë nga MPB-ja.
Derisa të bëhet e qartë se si urdhërpagesat apo procedurat gjyqësore do të funksionojnë në praktikë, për shtetasit e huaj e vetmja pengesë në rrugë mbeten policët e komunikacionit, të ashtuquajturit “ndjekës” apo patrullat me radar.
Kamerat e këtij sistemi, gjatë pesë muajve të parë, kanë evidentuar mbi 120 mijë kundërvajtje, prej të cilave madje 95 për qind kanë qenë për tejkalim të shpejtësisë.



