Grupi i ekspertëve në kuadër të Qeverisë që punojnë në gjetjen e zgjidhjes për të mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, punojnë pa afat kohor, pasi sipas zëvendëskryeministrit të parë Bekim Sali janë shumë të zënë me angazhime të tjera. Askush nuk e di se kur profesorët do të gjejnë kohë për zgjidhjen, të cilën Sali, tanimë disa muaj e garanton me vijë të kuqe.
“Ka vijë të kuqe në aspektin e kërkesës se duhet të zgjidhet ky problem, mirëpo nuk ka vijë të kuqe në aspektin e kohës kur duhet të zgjidhet për arsye se kemi të bëjmë me profesorë të cilët janë të angazhuar edhe në sferat tjera. Kështu që nuk është e vetmja punë që e kemi kërkuar nga ata”, tha Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i parë.
Ndërkohë Avokati i Popullit i cili kishte hapur lëndë me vetiniciativë për çështjen e provimit të jurisprudencës në shqip, siç mëson Alsat assesi nuk mund të arrijë te përgjigja e Qeverisë lidhur me rekomandimin për ndryshimet e nevojshme ligjore. Në vend që të deklarohen për rekomandimin, Qeveria ia ka dërguar Avokatit të Popullit, qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë, i cili është identik me përgjigjen që dikasteri i Fillkovit më herët ia kishte dërguar Faton Selamit. Ndërkohë avokati ka dërguar një shkresë të dytë, ku gjithashtu është interesuar edhe për dinamikën dhe përmbajtjen e punimeve të grupit të ekspertëve.
“Avokati i Popullit kërkoi të informohej edhe lidhur me faktin nëse ky grup kishte filluar punën dhe në këtë drejtim kishte mbajtur takime, dhe nëse po, çfarë konkretisht ishte propozuar nga ana e tij si zgjidhje për dhënien e këtyre provimeve edhe në gjuhën shqipe. Meqenëse brenda afatit të caktuar nuk u dorëzua përgjigje ndaj kësaj kërkese tonë, Qeverisë iu dërgua edhe një urgjencë. Në rast se nuk merret përgjigje edhe ndaj kësaj urgjence, do të ndërmerren veprime shtesë në përputhje me autorizimet/kompetencat nga Ligji për Avokatin e Popullit”, thonë për Alsat nga Zyra e Avokatit të Popullit
Ndërkohë studentët, që periudhën e fundit ishin pjesë e aktualitet dhe spektaklit politik, thonë se u ka mbaruar durimi. Një muaj pas marshit protestues që përfundoi përpara dyerve të Ministrisë së Drejtësisë, shprehen të zhgënjyer nga mosreagimi i institucioneve. Nëpër disa qytete kanë vendosur pankarta, duke paralajmëruar protestën e radhës, me porosinë e drejtpërdrejtë: “Nëse menduat se u ndalëm, gabuat. Të parën e shpërfillët, e dyta po vjen!”.
Ndërkohë derisa kryeministri Hristijan Mickoski shprehet i gatshëm për të gjetur zgjidhje, ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga qëndrimi se dhënia e provimit të jurisprudencës nuk është ligjore. Gjatë një ngjarje të sotme ditore, Fillkov i shmangi gazetarët për t’u përgjigjur rreth çështjeve me interes publik.




