Elmazi akuza për keqpërdorime në Komunën e Sarajit: 7 mijë euro për ushqim dhe miliona denarë për pllaka bekatoni

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka akuzuar ish-udhëheqësin Ilaz Veseli për keqpërdorim të mjeteve publike, gjatë një seance të Këshillit Komunal, raporton Zyrtare.net

Sipas Elmazit, Veseli  ka shpenzuar rreth 7 mijë euro nga fondet komunale për ushqim dhe pije në një periudhë prej rreth 70 ditësh, duke e ngarkuar këtë shumë si borxh ndaj Komunës së Sarajit.

“Qytetarët duhet ta dinë se Ilaz Veseli i ka ngrënë 7000 euro për 70 ditë, të fondeve tona, bukë për 70 ditë… kjo faturë i faturohet Komunës së Sarajit si borxh”, deklaroi Elmazi, duke shtuar se shpenzimet ditore kanë arritur mesatarisht nga 100 deri në 120 euro.

Ai theksoi se faturimi është bërë për periudhën nga 25 korriku deri më 30 tetor 2025, kohë kur, sipas tij, Veseli ka qenë në krye të komunës. Sipas Elmazit, vetëm një restorant lokal ka faturuar këtë shumë për konsum ushqimi dhe pije.

Në të njëjtën deklaratë, Elmazi ngriti shqetësime edhe për një rast tjetër financiar, që lidhet me shtrimin e pllakave të bekatonit. Ai tha se një kompani ka përfituar shuma të konsiderueshme, përfshirë edhe kamata të larta, percjell Zyrtare.net

“Për një borxh të mbetur prej 7 milionë denarë, janë marrë edhe 4 milionë denarë kamata. Nuk mund t’i kushtojë më shumë se 20 euro për metër katror, ndërsa Komunës i është faturuar kjo shumë. Kush i mori 20 euro për metër katror?”, u shpreh ai.

Kryetari i Sarajit theksoi se institucionet komunale tashmë kanë nisur procedura revizioni dhe paralajmëroi përgjegjësi për, siç i quajti ai, keqpërdorimet e mjeteve të qytetarëve./Zyrtare.net/