Ali Ahmeti me kritika për Albin Kurtin: Nuk bëhet “majtap” me çështje të ndjeshme

Në kuvendin zgjedhor të BDI-së në Studeniçan, në vend të shqetësimeve politike dhe të çështjeve shqiptare, u shndërrua në arenë kritikash për kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili aktualisht ndodhet në kulmin e fushatës zgjedhore. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, në fjalimin që lexoi mbrëmë përpara aktivistëve të Karshiakës së Shkupit, për 6 minuta, 8 herë ia përmendi emrin kryeministrit të Kosovës, duke e qortuar për qëndrimet e deklaruara rreth Marrëveshjes së Ohrit në intervistën e tij të fundit.

“Me çështjet të ndjeshme, me çështjet që janë larë me gjak, nuk bëhet majtap. I dashur Albin, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 është gurëthemeli edhe i Planit të Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës. Për këtë Marrëveshje, gjak derdhën edhe vëllezërit tanë nga Kosova dhe Shqipëria. Kjo Marrëveshje, nuk është ideale sepse është kompromis në kohë lufte, ku të dyja palët dolën barabarësish të pakënaqur, por zgjodhën paqen dhe bashkëjetesën”, deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Kurti në intervistë u shpreh i pakënaqur me formulimin kushtetues për gjuhën shqipe në Kushtetuta, e cila rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit.

0“Ajo që më është dukur problematike te Marrëveshja e Ohrit është pikërisht kjo që gjuha shqipe nuk trajtohet si vlerë e diversitetit dhe në vetvete, por kuantifikohet te ky 20%”. 02:02:55 “Nuk duhet të themi që Marrëveshja e Ohrit na paska qenë e shkëlqyeshme e tash nuk po u zbatoka dhe jemi në gjendje katastrofike fatale se nuk është e vërtetë”, ka thënë Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Në fjalimin me tone kritike, Ahmeti i kujtoi Kurtit disa prej projekteve të qeverisë së BDI-së.

“Qeveria ime Albin, e la të gatshme rrugën Shkup – Bllacë, kufirin e përbashkët me Kosovë, kalimin e kufirit me letërnjoftim, ndërtoi korridorin e 8, realizoi projektin për rrugën Tetovë-Prizren dhe ta dha ty të gatshme ty të gatshme para 5 vitesh, bashkë me 11 marrëveshje tjera bilaterale”, tha Ahmeti.

Megjithatë, rruga Shkup-Bllacë e premtuar ndër vite nuk e mbaroi derisa BDI ishte në Qeveri, ndërsa u bë simbol i zvarritjes për një rrugë prej vetëm 12.5 kilometra. E të mos flasim për projektin e rrugës Tetovë – Prizren, të cilin BDI e ka ricikluar në 4 procese zgjedhore. Në fakt edhe për këtë Kurti përmendi se interes i Kosovës është që këto dy projekte të realizohen, ndërsa Maqedonia të mbetet larg projektit Ballkani i Hapur që BDI-LSDM e shtynë përpara me Edi Ramanë dhe Aleksandar Vuçiqin. Përplasjet Ahmeti-Kurti nuk janë të parat, ndërsa tani shihen në rrethana të intensitetit të shtuar politik të fushatës zgjedhore në Kosovë. Derisa VLEN propagandon mbështetjen e Albin Kurtit, Ahmeti mban qëndrim të kundërt. Madje para këtyre zgjedhjeve, Ahmeti i porositi votuesit e Kosovës që të mos e votojnë Kurtin, nëse duan që të mos mbeten në një pako sanksionesh me Rusinë dhe Bjellorusinë.