Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së lidhur me këndimin e himnit të Evropës në aktivitetin e 9 Majit, duke i cilësuar ato si reagime “histerike”.
Në një prononcim në emisionin 360 shkallë në RTM2, Kasami theksoi se këto reagime vijnë si pasojë e pritjeve të gabuara që, sipas tij, BDI-ja ua kishte krijuar mbështetësve të saj për bashkimin e VLEN-it.
“Mendoj që janë reagime histerike të BDI-së dhe mbështetësve të tyre, sepse ata i kanë mbajtur mbështetësit e tyre me bindjen se VLEN asnjëherë nuk do të bashkohej në një parti. Kur kjo ndodhi, ata patjetër duhej të na sulmonin me diçka”, deklaroi Kasami.
Ai shtoi se aktiviteti i 9 Majit, i lidhur me Ditën e Evropës, ka përcjellë një mesazh të qartë politik dhe qytetar.
“Në 9 Maj nuk kishim mund të dërgonim mesazh më të mirë se sa që të gjithë së bashku jemi qytetarë të Evropës dhe dëshirojmë që sa më shpejt të jemi edhe në aspektin formal-juridik pjesë e Evropës”, u shpreh Kasami.




