“Meritokracia” në diplomaci: Ambasador emërohet drejtori i “Parkingut të Qytetit”

Ish-drejtor i Ndërmarrje Publike “Parkingu i Qytetit”, një ish-gazetare dhe aktualisht pronare e një agjencie PR-je dhe një avokat janë tre nga pesë kandidatët e nominuar për ambasadorë të ardhshëm, për të cilët Qeveria së fundmi në seancë ka dhënë dritë jeshile. Për ambasador të Maqedonisë në Athinë është zgjedhur Filip Pashu, i cili më 31 dhjetor 2021 ishte emëruar ushtrues detyre drejtor i NP “Parkingu i Qytetit”, ku paraprakisht kishte punuar si zëvendësdrejtor dhe kryetar i Këshillit Drejtues. Atëherë nga Qyteti i Shkupit njoftuan se “Filip Pashu është magjistër i ekonomisë, me përvojë shumëvjeçare pune në menaxhimin e shumë projekteve të USAID-it, DFID-it dhe fondeve IPA të Bashkimit Evropian. Ka përvojë edhe nga pozita e drejtorit joekzekutiv në SHA ‘Energetika’ Shkup, zëvendësdrejtor i ‘Parkingut të Qytetit’, si dhe kryetar i Këshillit Drejtues të së njëjtës ndërmarrje”.

Në Budapest, Maqedoninë e Veriut do ta përfaqësojë Tatjana Loparski, ish-gazetare, ndërsa tani pronare dhe drejtoreshë ekzekutive e njërës prej agjencive kryesore të PR-it në Maqedoni – “Element PR”. Për të thuhet se është eksperte për marrëdhënie me publikun. Avokati Jasmin Kallaç është zgjedhja e Qeverisë për ambasador në Sarajevë. Kallaç nuk është nga ata avokatë “të njohur” që kanë qenë të angazhuar në raste të njohura, përveç faktit se vepron në lëndën “Puls” për tragjedinë në Koçan, si mbrojtës i ish-drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Xhevat Selami. Dy kandidatët e tjerë që kanë kaluar në të njëjtën seancë qeveritare janë Driton Kuçi për ambasador në Oslo të Norvegjisë, dhe Elma Altorok për ambasadore në Kajro të Egjiptit.

Ndryshe, Kuçi tashmë është ambasador në Oslo dhe ky do të jetë mandati i tij i dytë, ndërsa Altorok është ushtruese aktuale e detyrës në Kajro, kështu që do të duhet të kthehet në Shkup dhe të mbrojë tezat.

Më herët janë zgjedhur edhe katër ambasadorë të tjerë, të cilët presin mbrojtjen e tezave në Parlament. Në Bullgari do të shkojë Krum Efremov, diplomat karriere, i cili ka qenë ambasador në Ukrainë, ndërsa Gabriel Atanasov, profesionist nga MPJ-ja, do të jetë ambasador në Rumani, ku ka qenë edhe më parë. Nga Ministria e Punëve të Jashtme vjen edhe Muharem Jusufi, i cili do të jetë ambasador në Stokholm, Suedi, ndërsa në Prishtinë do të na përfaqësojë Katerina Todoroska.

Në ndërkohë, pa ambasador ose konsull të përgjithshëm aktualisht janë gjithsej 24 përfaqësi diplomatiko-konsullore.

Nga MPJ bëjnë të ditur se për 11 përfaqësi tashmë janë zgjedhur kandidatët, të cilët do të marrin detyrën në periudha të ndryshme kohore, pas përfundimit të procedurës ligjore. Bëhet fjalë për përfaqësitë diplomatiko-konsullore në Athinë, Budapest, Bukuresht, Kajro, Kanberrë, Londër, Prishtinë, Sarajevë, Sofje, Stokholm dhe Hagë. Deri në fund të gushtit pritet të largohen pas përfundimit të mandatit ambasadorët në Londër – Ilina Mangova, në Hagë – Linda Salieska Iljazovska dhe në Kanberë – Stojançe Kitanoski.