Bekim Qoku “sui generis” i politikës shqiptare, këshilltari i liderit majtist zgjidhet nënkryetar i partisë djathtiste

Në Maqedoninë e Veriut jo rrallë herë ndodhë që ngjarjet në skenën politike të hutojnë edhe politilogët e lëre më qytetarët. Bekim Qoku në Kongresin e 9 Majit në Shkup është zgjedhur nënkryetar i partisë më të re në skenën politike në RMV, VLEN, shkruan V3.

Bekim Qoku nga e majta në të djathtë –

Bekim Qoku njihet si një nga bashkëpunëtorët dhe këshilltarët më të afërt të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, një force politike me identitet të fortë majtist.

Nga njëra anë, ai promovon narrativën e së majtës progresive përmes afërsisë me Vetëvendosjen nga ana tjetër, pranon një post të lartë drejtues në një parti që pretendon të përfaqësojë vlerat konservatore dhe të djathta.

Pyetja që lind natyrshëm është a ka ende rëndësi ideologjia në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, apo gjithçka është reduktuar në kalkulim pushteti dhe pozicionim personal?

Zgjedhja e Qokut nuk është thjesht një emërim partie është tregues i një realiteti të ri politik ku kufijtë mes së majtës dhe së djathtës janë bërë gjithnjë e më të padukshëm.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujtohet se Vetëvendosja ndër vite ka sulmuar ashpër partitë tradicionale shqiptare për mungesë parimesh dhe për oportunizëm politik. Sot, një nga njerëzit më të afërt të saj në Maqedoninë e Veriut ngjitet në majat e një partie të djathtë, pa asnjë sqarim bindës për këtë kontrast ideologjik.

Në fund, Bekim Qoku mund të ketë arritur diçka që pak politikanë e arrijnë të jetë njëkohësisht figurë e së majtës dhe drejtues i së djathtës. Një fenomen tipik ballkanik, ku politika nuk ecën më mbi boshtin ideologjik, por mbi matematikën e interesit.

Dhe pikërisht për këtë, rasti i tij mbetet ndoshta ilustrimi më i qartë se në politikën shqiptare të RMV-së, ideologjia po bëhet gjithnjë e më shumë çështje deklarative aspak udhërrëfim për veprim. /V3shqip