11 vjet nga përgjakja e Kumanovës: Plagët e hapura të “Lagjes së Trimave”

Mentor Mellova/INA

Kumanova shënon sot 11-vjetorin e njërës prej përleshjeve më të rënda urbane në historinë e rajonit. Më 9 dhe 10 maj 2015, “Lagja e Trimave” u shndërrua në një fushëbetejë ku humbën jetën 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur të njohur si Grupi i Kumanovës, i përbërë nga ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa dhjetëra shtëpi u shkatërruan plotësisht, përcjell INA.

Verdikti i drejtësisë: 746 vite burg dhe 8 dënime të përjetshme

Pas një procesi maratonë gjyqësor, i cili kaloi nëpër të gjitha shkallët e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Gjykata Supreme konfirmoi dënimet e rënda për 33 pjesëtarë të grupit. Për mbrojtjen dhe një pjesë të opinionit në Kosovë e Shqipëri, këto mbeten “vendime drakoniane”, ndërsa për shtetin, një përgjigje ndaj terrorizmit.

Sipas aktgjykimit të konfirmuar, kjo është lista e personave të dënuar:

Me burgim të përjetshëm:

Andi Krasniqi (Malisheva), Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Bekiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra, Fejzulla Rushitovski dhe Sulejman Osmani (i gjykuar ndaras).

Me 40 vite burgim:

Sami Ukshini (Komandant Sokoli), Esat Kafexholli, Ardian Bujari, Shefqet Hallaçi, Betim Kabashi, Genci Sefaj, Enver Hoxha Klein, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari dhe Fatmir Reçica.

Dënimet e tjera:

20 vite burgim: Kenan Isni, Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdia, Landrit Rrustemaj dhe Mirsad Qerimi.

18 vite burgim: Ragmi Latifi.

14 vite burgim: Seadudin Abdullai.

13 vite burgim: Arsim Bajrami dhe Elham Arifi.

12 vite burgim: Musadik Pajaziti dhe Ebip Aliji.

Katër persona, kryesisht të akuzuar për mbështetje logjistike nga Maqedonia e Veriut, u liruan tërësisht nga akuzat gjatë procesit.

Enigma dhe pretendime për likuidime

Në fjalët e tyre hyrëse gjatë gjykimit, të arrestuarit kanë denoncuar vazhdimisht atë që ata e konsiderojnë si “likuidim pas dorëzimit” të dy udhëheqësve kryesorë, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, si dhe të disa pjesëtarëve të tjerë. Këto pretendime kanë nxitur kërkesa të vazhdueshme për një hetim ndërkombëtar mbi ngjarjen.

Sot, për të dënuarit — 19 prej të cilëve janë shtetas të Kosovës — “dyert” e drejtësisë vendase janë mbyllur përfundimisht pas vendimit të Supremes në vitin 2022. Shpresa e tyre e fundit mbetet Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Bilanci i një tragjedie:

Viktima: 18 të vrarë (8 policë, 10 anëtarë të grupit).

Të plagosur: 37 policë të plagosur.

Shkatërrime: Një pjesë e një lagje të tërë urbane e gjendur nën rrethim dhe zjarr artilerie.

Për banorët e Kumanovës, ky 11-vjetor shërben si një kujtesë e hidhur e dy ditëve të jetuara në frikë, pasiguri dhe fluturime helikopterësh, me thirrjen e vetme: “Të mos harrohet dhe të mos përsëritet kurrë”.(INA)