Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka shprehur besimin se pas përfundimit të tensioneve mes SHBA-ve dhe Iranit, çmimet e naftës do të pësojnë një ulje të konsiderueshme, duke ndikuar edhe në rënien e çmimit të karburantit në SHBA.
Në një komunikim në platformën Truth Social, Trump u shpreh se energjia do të bëhet më e lirë pasi Shtetet e Bashkuara të dalin fitimtare në konfliktin me Iranin. Ai parashikoi që çmimi për benzinë fillimisht të arrijë rreth 3 dollarë për gallon dhe më pas të zbresë poshtë 2 dollarëve.
Trump argumentoi se përfundimi i konflikteve do të çonte në një stabilizim të shpejtë të tregjeve energjetike, duke nxitur kështu uljen e çmimeve.
Aktualisht, megjithatë, çmimet e naftës në tregjet globale mbeten të larta për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme. Sipas të dhënave të fundit, çmimi i naftës së Brent ishte rreth 97 dollarë për fuçi, ndërsa nafta WTI tejkalonte 92 dollarë, duke reflektuar shqetësimet rreth furnizimeve ndërkombëtare dhe kufizimeve në lëvizjet përmes ngushticës së Hormuzit.
Në të njëjtën kontekst, Trump ritheksoi qëndrimin se Irani nuk do të pajiset me armë bërthamore, duke e theksuar si një prioritet në strategjinë e politikës së SHBA-së ndaj Iranit.
Këto deklarata të presidentit amerikan vijnë në mes të një periudhe kur tensionet dypalëshe janë ende të larta, dhe çdo ndërprerje shtesë e furnizimeve përmes Gjirit Persik mund të ketë ndikime të menjëhershme në tregjet globale të energjisë.




