Sulmi ndaj Hysni Mehanit në Skenderaj, ndalohen dy persona, dërgohen në mbajtje për 48 orë

Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se lidhur me incidentin e sotëm në Skenderaj, ku si pasojë e sulmit fizik, sipas Prokurorisë, lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy persona, Hysni Mehani dhe Bahri Zabeli, prokurori kujdestar ka qëndruar gjatë tërë ditës në Skenderaj, ku së bashku me Policinë janë mbledhur prova relevante lidhur me rastin.“Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor” – thuhet në njoftim.Ndërkaq, sipas Prokurorisë, dy të dyshuar të tjerë për këtë rast, Sami Lushtaku dhe Kushtrim Haziri, deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim. “Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Mitrovicës.