Shqiptarët në RMV nën presion: Goditjet ndaj gjuhës, arsimit dhe përfaqësimit po zgjojnë alarm

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, gjatë dy viteve të fundit, ka ndërmarrë një sërë hapash që nga shumë shqiptarë perceptohen si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave të fituara përmes luftës së 2001. Por viteve të fundit, Qeveria e RMV-së në vend që të forcojë karakterin multietnik të shtetit dhe të ndërtojë besim ndërmjet komuniteteve, ajo ka hapur fronte të reja përplasjeje me qytetarët shqiptarë.

Goditja e parë erdhi me shfuqizimin e mekanizmit të njohur si Balancuesi, instrument që për vite me radhë shërbeu si garanci minimale për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në administratën shtetërore. Heqja e këtij mekanizmi nga VMRO-DPMNE dhe VLEN, u pa si një hap prapa në procesin e barazisë dhe integrimit institucional. Balancuesi ishta garantues i përfaqësimit të barabrtë dhe plotësimit të kuotave etnike, shkruan V3shqip.

Më pas, pasuan përpjekjet për të vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e ligjit që garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Këto iniciativa nuk përbëjnë thjesht një debat juridik, por prekin një nga shtyllat themelore të Marrëveshjes së Ohrit dhe të bashkëjetesës ndëretnike në vend. Çdo tentativë për të kufizuar statusin e gjuhës shqipe perceptohet si një kërcënim serioz ndaj identitetit shqiptar në RMV dhe ndaj vetë konceptit të shtetit multietnik.

Së fundmi, një tjetër çështje ka ngritur shqetësim të madh në opinionin publik shqiptar: refuzimi për t’u mundësuar studentëve shqiptarë të Fakultetit Juridik dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ndonëse kjo e drejtë buron nga dispozitat ligjore në fuqi. Mohimi i kësaj të drejte nuk është vetëm një pengesë administrative; ai dërgon një mesazh të rrezikshëm se gjuha shqipe vazhdon të trajtohet si e dorës së dytë edhe në institucionet ku ligji duhet të zbatohet pa dallim.

Edhe më shqetësuese për kontekstin politik dhe rajonal është fakti se disa nga këto zhvillime po ndodhin në një klimë ku përmendet gjithnjë e më shpesh ndikimi i ashtuquajtur i “Botës Serbe” në rajon dhe me theksë të veçantë në Maqedoninë e Veriut. Ky term, i përdorur nga analistë dhe përfaqësues politikë në Ballkan, lidhet me rritjen e ndikimit politik dhe narrativave nacionaliste serbe në vendet fqinje, përfshirë Maqedoninë e Veriut.

Ky shqetësim nuk është i izoluar vetëm në diskursin politik lokal. Edhe institucionet evropiane, përfshirë Komisionin Evropian në raportet e tij për vendin, kanë theksuar nevojën për vigjilencë ndaj ndikimeve të jashtme dhe për ruajtjen e karakterit multietnik, stabilitetit demokratik dhe barazisë ndëretnike. Në këtë kontekst, çdo dobësim i të drejtave të komuniteteve etnike, përfshirë shqiptarët, shihet si një hap prapa në rrugën drejt standardeve evropiane, transmeton V3shqip.

Pikërisht për këtë arsye, zhvillimet e fundit nuk mund të shihen të shkëputura nga konteksti më i gjerë rajonal. Kur cenohen mekanizmat e përfaqësimit, kur vihet në pikëpyetje gjuha shqipe dhe kur të drejtat e garantuara me ligj zbehen në praktikë, krijohet një perceptim i rrezikshëm se shteti po largohet nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit dhe nga parimet themelore evropiane të barazisë dhe përfshirjes.

Kur këto veprime shihen të marra së bashku, krijohet përshtypja e një strategjie të vazhdueshme që synon dobësimin e pozitës politike, institucionale dhe kulturore të shqiptarëve në vend. Shqetësimi që ngrihet sot nuk lidhet vetëm me një ligj, një institucion apo një provim. Ai lidhet me frikën se po ndërtohet një klimë që rrezikon të zhbëjë arritjet e dekadave të fundit dhe të cenojë themelet mbi të cilat është ndërtuar bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

Për shumë shqiptarë, këto zhvillime nuk paraqesin incidente të izoluara, por pjesë të një politike që perceptohet si presion sistematik mbi identitetin, gjuhën dhe përfaqësimin e tyre në shtet. Në një shoqëri demokratike dhe multietnike, mbrojtja e të drejtave të komuniteteve nuk është privilegj, por detyrim kushtetues dhe garanci për stabilitetin e së ardhmes.(V3shqip)