Selmani: Një vit më parë, kjo tufë meshkujsh pa prtoencë, zgjodhën rrugën e intrigës, për të më “fituar”

Nafie Selmani
Si sot, fiks para një viti, kjo tufë meshkujsh pa potencë, as guxim njerëzor, të organizuar në fshehtësi të plotë, si dredharakë e qyqarë zgjodhën rrugën e intrigës, padrejtësisë dhe pabesisë, për të më “fituar”.
Të organizuar në heshtje, dhe duke shkelur rëndë të gjitha procedurat ligjore, pikërisht në mes të Kuvendit, aty ku do të duhej të mbizotëronte ligji dhe transparenca, më përjashtuan nga një proces të cilin e kisha përfunduar me shumë sukses dhe me integritet.
E bënë këtë jo sepse kishin argumente kundër meje por vetëm se nuk isha Jaranesha e asnjërit nga ky grumbull meshkujsh, as gruaja e kryetarit të ndonjë dege të partive të tyre, dhe sepse e kuptuan se nuk mund të më dirigjojnë si telekomandë për t’ua mbrojtur interesat e tyre të kundërligjshme.
Për këtë arsye kam dorëzuar padi, të mbështetur me argumente të forta ligjore për ligjshmërinë e procesit. Dhe pavarësisht se si do të përfundojë kjo betejë në një vend ku ndikimi politik mbi drejtësinë vazhdon të jetë shqetësim alarmant, unë do të vazhdoj rrugën time po qe e nevojshme edhe në instancat ndërkombëtare, sepse e vërteta dhe dinjiteti duhet mbrojtur me këmbëngulje.
Për këtë rast edhe në Raportin e parafundit të Komisionit Evropian thuhej troç: “Kuvendi zgjodhi anëtarët e rinj të Këshillit të AVMU/ASHMAA-së në mungesë transparence, kriteresh të qarta dhe paanshmërie.”
Kjo tufë meshkujsh menduan se më kishin “fituar” sepse si injorantë që janë kishin besuar se vetëm pushteti është forcë.
Por për vetëm një vit, unë ua dëshmova se forca e vërtetë nuk buron nga postet, as nga prapaskenat e pushtetit politik. U përballa me ta vetë pa pushtet politik, por me dinjitet, i sfidova dhe e mposhta tufën që menduan se mund të më thyenin…dhe i FITOVA. Sepse fitorja e vërtetë nuk është kur e “rrëzon” dikë nga pozita e forcës së pushtetit, siç u përpoqën të bëjnë ata me mua. Fitorja e vërtetë është kur qëndron drejt, kur nuk përkulesh dhe nuk dorëzohesh përballë padrejtësisë.