Kryetari i Ramush Haradinaj, njëherësh lider i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar lidhur me protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar ato si një “thirrje të fortë ndërgjegjeje”.
Përmes një statusi publik, Haradinaj thekson se lëvizja e studentëve për të drejtën e arsimimit në gjuhën shqipe tejkalon kufijtë e një kërkese studentore, duke u shndërruar në një çështje me peshë kombëtare.
“Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është një thirrje e fortë ndërgjegjeje për të gjithë ata që ndërhyjnë në politika që nuk u takojnë, duke përçarë dhe dobësuar faktorin shqiptar, aty dhe kudo”, ka deklaruar ai.
Haradinaj nënvizon se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe është e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mund të vihet në diskutim apo të cenohet nga asnjë institucion apo faktor politik.
“E drejta themelore për gjuhën shqipe nuk duhet të cenohet nga askush. Çdo përpjekje për ta prekur është shkelje flagrante e të drejtave”, ka shtuar ai.
Në reagimin e tij, lideri i AAK-së shpreh mbështetje të plotë për studentët, duke u rreshtuar në krah të kërkesave të tyre, të cilat i cilëson si legjitime dhe të drejta.
“Sot jemi një me studentët, në qëndresën e tyre dhe në kërkesat e tyre legjitime. Një për gjuhën shqipe”, thuhet në mesazhin e tij.
Në fund, Haradinaj ka dërguar edhe një mesazh paralajmërues për të gjithë ata që, sipas tij, pengojnë përdorimin e gjuhës shqipe, duke theksuar se përgjegjësia historike nuk do të mungojë.
“Kujtdo që i ka penguar kjo gjuhë, historia nuk do t’ia falë”, përfundon reagimi i tij, duke e mbyllur me thirrjen: “Me studentët!”.




