E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe miqësinë ndaj SHBA-së, duke deklaruar se nuk njeh asnjë shtet tjetër në botë që është më pro-amerikan se Kosova.
Në manifestimin festiv “Thank You USA”, të organizuar në Prishtinë me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, diplomatja amerikane tha se ndihet e privilegjuar që po e shënon 250-vjetorin e pavarësisë së vendit të saj pikërisht në Kosovë.
“Më 28 korrik bëhen dy vjet që kur kam mbërritur në Kosovë dhe ka qenë një nder i jashtëzakonshëm për mua që të festoj 250-vjetorin e Pavarësisë Amerikane këtu. Mendoj se jam një nga diplomatët më me fat në Shërbimin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara që pata mundësinë ta festoj këtë përvjetor në Kosovë”, u shpreh Prattipati.
Ajo theksoi se gjatë shërbimit të saj në vende të ndryshme të botës nuk ka hasur në një popull me afërsi më të madhe ndaj SHBA-së sesa qytetarët e Kosovës, raporton EO, transmeton Sinjali.
“Nuk njoh asnjë shtet tjetër në botë – dhe kam shërbyer e jetuar në shumë vende – por Kosova me të vërtetë është shteti më pro-amerikan në botë. Kudo që kaloj, njerëzit më falënderojnë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë dhe kjo më ka prekur thellësisht”, deklaroi ajo.
Prattipati vlerësoi gjithashtu aktivitetet e organizuara në Kosovë për shënimin e 250-vjetorit të SHBA-së, duke i cilësuar ato si dëshmi të një miqësie të sinqertë mes dy popujve.




