Mos shisni moral me zhibla në emër të kulturës dhe shuani çdo hidër që ngre kokë për ta përdhosur jetëgjatësinë e saj.
Ansambli Muzikor në Tetovë sot shpallet “kapacitet i kufizuar”, pas dy vitesh pa punësime, pa mbështetje, pa vëmendje. Së pari e lënë pa frymë… pastaj e shpallin të panevojshëm.
Një diagnozë elegante për një neglizhencë të gjatë, një boshllëk i krijuar me vite që prezantohet si argument teknik, një metodë e vjetër, por që ende funksionon kur përballë ka heshtje.
Ansambli Muzikor nuk ka mungesë trashëgimie apo strukture. Është trashëguar me pëlqim për më shumë se 40 punësime, por nuk është realizuar asnjë. Është marrë si përgjegjësi, por është administruar si statistikë, është trajtuar si institucion i parëndësishëm, pa u zhvilluar.
Andaj, deklaratat politike me injorancë të pafiltruar që racionalizojnë kulturën shqiptare kur s’ju del llogaria politike, janë justifikim i paaftësisë dhe guximit për ta mbrojtur atë.
Asnjë përgjigje e qartë dhe e unifikuar që do i’a bëj të qartë ministrit te kulturës që Ansambli muzikor është më shumë se insitucion, është dinjitet, rezistencë, eshtë trashëgimi! Në vend që të festoni përqindje që ende nuk e pasqyrojnë barazinë e plotë, do të ishte më ndershme të ruani dhe të forconi atë që gjetët të gatshme, institucionet, mekanizmat dhe hapësirat që nuk u ndërtuan me deklarata, por me kohë dhe përfaqësim.
Sepse institucionet nuk bien vetë, ata rrëzohen e zhbëhen nga duar që nuk dinë t’i mbajnë. E nëse do e vlerësoni si mençuri heshtjen përballë kësaj, jeni në lajthitje për t’a ngatërruar me frikën!
Mos shisni moral me zhibla në emër të kulturës dhe merrni guximin të shuani çdo hidër që ngre kokë për ta përdhosur jetëgjatësinë e saj..!




