Kush është Ed Miliband, kryediplomati i ri britanik që mbrojti ndërhyrjen në Kosovë?

Ed Miliband do të jetë Sekretar i Jashtëm i Britanisë së Madhe në kabinetin qeveritar të Andy Burnham, duke marrë drejtimin e diplomacisë britanike në një periudhë sfidash të mëdha gjeopolitike, që prekin – drejtpërdrejt ose tërthorazi – edhe Kosovën.

Miliband ka një karrierë të gjatë në politikë që daton nga vitet e para si 28 vjeçar kur shërbeu si këshilltar i Gordon Brown në periudhën kur ai ishte Sekretar i Thesarit (1997 – 2002), për t’u zgjedhur më pas deputet i Doncaster North në vitin 2005.

Ai ka punoi si Ministër për Kabinetin (2007–2008) dhe Sekretar i Shtetit për Energjinë dhe Ndryshimet Klimatike (2008–2010). Ai u zgjodh lider i Partisë Laburiste nga viti 2010 deri në vitin 2015, ndërsa  udhëhoqi edhe portofolin e energjisë (2024–2026).

Miliband nuk është figurë e panjohur për opinionin në Kosovë. Kur qeveria konservatore e David Cameron mbështeti ndërhyrjen e NATO-s në Libi më 2011, ai — në cilësinë e kryetarit laburist të opozitës — e mbështeti parimisht veprimin ushtarak, duke përmendur shembullin e ndërhyrjen humanitare në Kosovë në vitin 1999.

“Edhe atëherë njerëzit ngrinin të njëjtat argumente [kundër ndërhyrjes në Kosovë], dhe e vërteta është se ne s’e dinim se ku do të përfundonte [angazhimi ushtarak], por duke vepreuar në Kosovë, ne shplutuam jetën e dhjetëra mijëra njerëzve”.

E ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, përcolli ndër të parët urimet për homologun e tij britanik, duke shprehur gatishmërinë e tij të plotë për të forcuar bashkëpunimin dypalësh mes Prishtinës dhe Londrës.

“Ju dëshiroj suksese në detyrën tuaj të re dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për të thelluar më tej miqësinë dhe partneritetin afatgjatë midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, shkroi ministri Konjufca të hënën në platformën X.

Ndryshe, ky tranzicion i shpejtë i pushtetit e gjen Kosovën përballë nevojës urgjente për të ndërtuar, pothuajse nga zeroja, marrëdhëniet me një kabinet të ri qeverisës, fokusi i të cilit – për momentin – mbetet larg rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Lajmi i mirë për Kosovën është se politika e jashtme nuk pritet të pësojë ndryshime thelbësore, por ekziston rreziku që ajo të mos jetë prioritet në Downing Street.