Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar sot viktimat e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë, duke veçuar historinë e Nënës Ferdonije, simbol i dhimbjes së pamatshme personale dhe i vuajtjes kolektive.
Më 27 mars 1999, në rrugën “Martirët Qerkezi” në Gjakovë, forcat serbe i rrëmbyen katër djemtë e saj – Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin – si dhe bashkëshortin Halimin. Të afërmit dhe fqinjët e tyre u zhdukën gjithashtu me dhunë, duke lënë një mungesë që nuk mbushet dhe një pritje që nuk përfundon.
Në të njëjtën ditë, dhuna u shtri në Dardani të Pejës, ku u vranë 40 civilë shqiptarë, në Klladernicë të Skënderajt u masakruan 75, në Mamushë 18 martirë, dhe në Obiliq 10 anëtarë të familjes Rama. Në Fushë Kosovë sot përkujtohen 168 viktima.
Kurti tha se kujtimi i tyre përbën themelin mbi të cilin qëndron Republika e Kosovës e lirë dhe bëri thirrje për nderim dhe përkulje para sakrificës së popullit.
“Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! Përkulje para forcës së Nënës,” shkroi Kryeministri.




