Sipas mediave hungareze, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE nuk tregonë interes për të rikthyer ish-kryeministrin Nikola Gruevski në vend. Edhe pse qeveria e mëparshme e LSDM-së këmbënguli në ekstradimin e tij nga Hungaria, ku ai gëzon azil politik, kjo kërkesë tani ka skaduar dhe qeveria e re nuk e ka rinovuar atë deri më tani
Aktualisht nuk ka një urdhër arresti aktiv të Interpolit për të, gjë që e lehtëson më tej pozicionin e tij në Budapest.
Akoma po udhëtojnë përmes postës përgjigjet e kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë drejt gjykatave, prokurorisë dhe Ministrisë për Punë të Brendshme për dorëzimin e dosjes së Gruevskit.
Profesori Tamash Hofman sqaroi se edhe në rast të tërheqjes së azilit, Gruevski nuk do t’u dorëzohet automatikisht autoriteteve në Maqedoninë e Veriut. Hungaria nuk ka bazë ligjore për ta ndaluar dhe ekstraduar atë pa një kërkesë të vlefshme nga qeveria e RMV-së ose një urdhër arresti ndërkombëtar.
Pas deklaratave të fundit të kryeministrit të ardhshëm hungarez Peter Magyar, i cili fitoi në zgjedhjet e 12 prillit, se nuk ka vend për kriminelë ndërkombëtarë në Hungari, Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë njoftoi se kishte kërkuar informacion nga gjykatat në lidhje me Gruevskin, në mënyrë që të vazhdonte më tej.
Kryeministri aktual i Maqedonisë, Hristijan Mickoski, tha se nëse Gruevski kthehet në vend ai do të përfundojë në burg. Lidhur me ekstradimin e mundshëm, në deklaratën e tij të fundit kryeministri tha se i arratisuri fillimisht duhet ta humbasë statusin e azilantit në Hungari.
“Në rastin tonë, ish-kryeministri ka azil. Për të dërguar një kërkesë për ekstradim, duhet të ndiqet së pari një procedurë, për ta tërhequr statusin e azilantit. Kjo është gjëja e parë. Nëse e dërgojmë tani, do të marrim një përgjigje negative. Mund ta dërgojmë nesër, pa problem, por le t’i shohim gjërat në një mënyrë më substanciale”, tha Mickoski më 17 prill.




