Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kandidati për deputet nga AAK-ja, Shpend Gjocaj, ka reaguar ashpër ndaj personave që, sipas tij, me komente të rreme dhe fyese sulmojnë vlerat kombëtare dhe sakrificën e luftëtarëve të lirisë.
Gjocaj ka ndarë historinë prekëse të vëllait të tij, Qerimit, i cili në korrik të vitit 1998, në moshën vetëm 20-vjeçare, humbi dorën e djathtë në luftën për lirinë e Kosovës.
Pas 28 vitesh, Qerimi ka vendosur një protezë elektronike, një moment që familja e ka përjetuar me emocione të veçanta.
“Sot, 28 vite më vonë, ai vendosi një protezë elektronike. Ky është një emocion i veçantë dhe një dëshmi e sakrificës për atdheun. Kjo vlerë ua shuan të gjitha sharjet idiotëve që janë kundër çdo vlere kombëtare”, ka shkruar Gjocaj.
Ai ka uruar vëllain e tij për dorën e re teknike, duke theksuar se dora e humbur në luftë mbetet një simbol i përjetshëm i sakrificës për lirinë e Kosovës.
“Urime, vëlla, dhe gëzofsh dorën teknike. Atë origjinalen ta ruajë atdheu përgjithmonë”, ka përfunduar reagimin e tij Gjocaj.




