Mungesa e paraleleve në gjuhën shqipe në Shkollën e Mesme Policore ka nxitur reagime të shumta në opinion dhe në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe kandidatë e cilësojnë këtë si një situatë të paprecedentë për arsimin në gjuhën shqipe. Deri më tani, partia shqiptare në pushtet, VLEN, nuk ka dalë me një qëndrim publik dhe nuk ka njoftuar për hapa konkretë për adresimin e këtij problemi. Sipas kritikëve, mosveprimi institucional rrezikon të ndikojë më tej në uljen e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Përveç kësaj, interesimi për regjistrim në Shkollën e Mesme Policore duket se është i lartë, por një pjesë e kandidatëve thonë se kanë hasur në pengesa gjatë dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm. Sipas ankesave të bëra publike nga kandidatët, nuk u pranohen vërtetimet mjekësore dhe kontrollet shëndetësore të lëshuara nga institucionet private shëndetësore.
Sipas tyre, problemi bëhet edhe më i madh pasi Qendra e Shëndetit Publik nuk lëshon vërtetim mjekësor për personat 18-vjeçarë, megjithëse një dokument i tillë kërkohet në procedura të tjera administrative, si pajisja me leje drejtimi.
Kandidatët thonë se kjo situatë ka krijuar paqartësi dhe vështirësi në kompletimin e dokumentacionit, ndërsa kërkojnë sqarime se cilat institucione janë kompetente për lëshimin e dokumenteve të nevojshme dhe cilat vërtetime pranohen gjatë aplikimit.
Për të sqaruar këto dilema, mediat kanë kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me mundësinë aktuale të regjistrimit, dokumentacionin e nevojshëm dhe procedurat që duhet të ndjekin kandidatët. Po ashtu, është kërkuar edhe një sqarim zyrtar për mospranimin e vërtetimeve të lëshuara nga institucionet private shëndetësore dhe për praktikën e Qendrës së Shëndetit Publik. Deri në publikimin e informacionit, Ministria e Punëve të Brendshme nuk kishte dhënë përgjigje.
Funksionimi i Shkollës së Mesme Policore në Maqedoninë e Veriut pritet të nisë më 1 shtator 2026. Arsimi do të zgjasë dy vite dhe do të përfshijë vitin e tretë dhe të katërt të arsimit të mesëm. Të drejtë aplikimi kanë nxënësit që kanë përfunduar me sukses vitin e parë dhe të dytë të shkollës së mesme, ndërsa konkursi publik do të jetë i hapur deri më 17 korrik. Rikthimi i shkollës së mesme për policë bëhet pas 26 vitesh, pasi gjenerata e fundit kishte diplomuar në vitin 2000.




