Zekolli: Ka nisur ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, lidhje strategjike me Kosovën

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, ka njoftuar se janë përmbyllur procedurat për përzgjedhjen e kontraktorit për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, ndërsa së shpejti pritet të nisin punimet në terren.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zekolli bëri të ditur se së bashku me ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanoski, dhe drejtorin e BERZH-it, Fatih Türkmenoğlu, kanë zhvilluar një takim pune kushtuar realizimit të projektit.

Sipas saj, projekti do të realizohet nga konsorciumi i udhëhequr nga kompania vendore “Granit”, ndërsa autostrada Shkup–Bllacë do të shërbejë si arteria kryesore e lidhjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Autostrada Shkup–Bllacë është shumë më tepër se një projekt infrastrukturor. Ajo përfaqëson një lidhje strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke mundësuar transport më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas për qytetarët dhe bizneset e të dy vendeve”, ka shkruar Zekolli.

Ajo theksoi se projekti do të ndikojë në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, do të krijojë mundësi të reja për investime dhe do të kontribuojë në zhvillimin e rajonit.

Sipas të dhënave të publikuara, autostrada do të përfshijë ndërtimin e 5 tuneleve, 2 galerive dhe 12 urave, ndërsa në kuadër të saj do të realizohen gjithsej 40 objekte infrastrukturore.

Zekolli vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me BERZH-in, duke theksuar se mbështetja e këtij institucioni financiar ndërkombëtar po mundëson realizimin e projekteve strategjike për zhvillimin e vendit.