Kryetari i Lëvizjes “Populli” dhe deputeti, Skender Rexhepi Zejd, ka reaguar ndaj deklaratave të koalicionit VLEN lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
Ai ka theksuar se pretendimet e VLEN-it nuk qëndrojnë juridikisht, duke argumentuar se ligji për jurisprudencën nuk e përcakton gjuhën e provimit dhe se kjo çështje rregullohet me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas tij, ky ligj është i qartë për detyrimin e harmonizimit të akteve të tjera ligjore dhe përparësinë e tij në rast mospërputhjeje.
Rexhepi ka deklaruar se dokumentet e vitit 2019 të paraqitura nga VLEN nuk ndryshojnë faktin juridik se gjuha shqipe duhet të përdoret në përputhje me ligjin në fuqi, duke shtuar se mungesa e zbatimit të tij nuk mund të justifikohet me vendime të mëhershme politike.
Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e VLEN-it, duke e cilësuar si interpretime politike të një çështjeje që, sipas tij, është e rregulluar qartë me ligj, dhe ka theksuar se kërkesa për zbatimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës mbetet e drejtë e studentëve shqiptarë.




