Në lagjen Drenovec të Tetovës janë ndërtuar dhe promovuar katër rrugë të reja, si pjesë e investimeve infrastrukturore të komunës. Bëhet fjalë për rrugët 152, 153, 154 dhe 155, të cilat përfshijnë një sipërfaqe totale prej 5.478 metrash katrorë.
Nga VLEN theksojnë se ky projekt paraqet realizim të një premtimi të dhënë dhe një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për banorët e kësaj zone.
Sipas tyre, investimi nuk përfaqëson vetëm asfaltim të rrugëve, por një përpjekje për të sjellë ndryshim të prekshëm dhe për të rritur cilësinë e infrastrukturës lokale.
“Ky është një shembull se si përkushtimi dhe puna e vazhdueshme mund të sjellin rezultate konkrete në shërbim të qytetarëve”, thuhet në reagimin e VLEN.
Ata shtojnë se projekte të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të komunës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Banorët e Drenovecit tashmë kanë në përdorim këto rrugë të reja, të cilat pritet të lehtësojnë qarkullimin dhe të rrisin funksionalitetin e lagjes.




