Vazhdon të thellohet kriza, shtrenjtohen edhe kreditë

Banka Popullore, rriti shkallën themelore të kamatës nga 4 në 4.25 për qind. Ajo ndër të tjerash është bazë për normat e interesit me të cilat bankat komerciale në vend ofrojnë kredi për qytetarët dhe bizneset. Arsyetimi është se akoma nuk janë tejkaluar rreziqet e inflacionit. Me fjalë tjera tani është e pritshme që të shtrenjtohen kreditë. Vendimi i Bankës Qendrore është marrë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, për shkak të efekteve të zhvillimeve globale në ekonominë e brendshme. Pasojat e luftës në lindjen e mesme do të ndihen deri në fund të vitit, gjë që do të rrisë edhe presionin mbi inflacionin. Guvernatori Trajko Sllaveski tha se megjithëse kjo masë mund të çojë në kosto më të larta të kredisë, është e nevojshme për të parandaluar rritje të mëtejshme të çmimeve. Sipas tij, “normat më të larta të interesit janë më të mira se rritja e inflacionit”.

Përfaqësues të bankave shprehen se nëse ka rritje të normave të interesit, ajo do të jetë graduale.

Ata thonë se nuk janë të befasuar nga lëvizja e BPRM-së dhe se kjo ishte e pritshme sepse presionet inflacioniste dhe pasiguria janë ende të pranishme. “Kjo pritej dhe nuk ishte surprizë sepse Banka Evropiane e rriti atë edhe pak kohë më parë. Ajo që mund të themi është se nëse ka një rritje të normave të interesit për përdoruesit, kjo do të ndodhë shumë gradualisht”, tha Hrisula Kutudi, drejtore ekzekutive e Stopanska Banka Shkup. Norma mesatare e interesit për totalin e kredive në prill 2026 ishte 4.70% dhe mbeti e pandryshuar krahasuar me muajin e kaluar, ndërsa në bazë vjetore shënoi një rënie prej 0.41 pikë përqindjeje. Dy vite më parë apo në prill 2024, norma mesatare e interesit për totalin e kredive ishte 5.51%. Kreditë e amvisërive në mesatare para dy vite ishin 5.65 apo ishin më të shtrenjta se në prill 2026 kur arritën në 5.06 për qind.

Shtrenjtime të kredive priten edhe në shtetet e rajonit pasi Banka Qendrore Evropiane kohët e fundit rriti tre norma kryesore të interesit, zbatimi i të cilave hyri në fuqi më 17 qershor. Kjo do të thotë se ajo dëshiron të ulë inflacionin.

Me vendimin e ri të Bankës Qendrore Evropiane, normat e interesit për lehtësitë e depozitave, operacionet kryesore të rifinancimit dhe lehtësitë e kreditit marxhinal do të rriten përkatësisht në: 2.25 për qind, 2.40 për qind dhe 2.65 për qind. Një njoftim i tillë nuk frymëzon optimizëm, veçanërisht jo pas rritjes së euribor në mars të këtij viti. Këto norma ndikojnë në tregun e parasë dhe të kapitalit në përgjithësi, që do të thotë se paratë do të jenë më të shtrenjta.

Efekti i konfliktit në Lindjen e mesme, përveç rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit, u transmetua edhe në rritjen e Euribor-it në mesin e marsit të këtij viti. Në atë kohë, rritja ishte rreth 10 për qind, gjë që shkaktoi një “tërmet”, duke marrë parasysh se shumica e kredive me një normë interesi të ndryshueshme janë të lidhura me euribor-in tremujor ose gjashtëmujor, që do të thotë se banka merr euribor-in si bazë dhe i shton atij marzhin e saj. Euribor (shkurtim për Euro Interbank Offered Rate) është norma mesatare referuese e interesit me të cilën bankat kryesore evropiane i japin hua njëra-tjetrës në euro në tregun ndërbankar. Apo është “çmimi bazë i parasë” që ndikon drejtpërdrejt në normën e kredisë me një normë interesi të ndryshueshme të lidhur me euron.

Mirëpo një rrethanë e mirë që lufta në Iran po i vjen fundi, kështu që mund të ketë një normalizim të zinxhirëve të furnizimit në lidhje me dërgimin e naftës bruto nga gjiri. Në këtë rast, presionet inflacioniste duhet të lehtësohen. (koha.mk)