Vazhdon diskriminimi etnik ndaj shqiptarëve në institucione shtetërore në RMV

Komisioni për Mbrojtje dhe Parandalim nga Diskriminimi (KMPD), së fundmi ka publikuar Raportin e ri për vitin 2025. Rezultatet nuk kanë ndryshuar nga viti i kaluar, ku edhe këtë vit theksohet se diskriminimi është “i rrënjosur” në sektorin publik. Diskriminues kryesorë janë organet shtetërore, komunat dhe institucionet arsimore.

Në dallim nga kjo, sipas Raportit të Komisionit për Mbrojtje dhe Parandalim nga Diskriminimi, në sektorin privat janë evidentuar 10 raste ose 18 për qind nga gjithsej opinionet e miratuara nga KMPD, ndërsa në media dhe rrjetet sociale – shtatë raste.

Sa i përket bazave të diskriminimit, në krye është përkatësia kombëtare ose etnike (29%). Në vitin 2025 diskriminimi është paraqitur edhe mbi bazë të gjinisë (16%), aftësisë së kufizuar (14%), karakteristikave personale dhe statusit shoqëror (14%), identitetit gjinor (13%) dhe bindjes politike (13%).

Nga aspekti i llojit, më e pranishmja është diskriminimi i drejtpërdrejtë, i konstatuar në 55 për qind të rasteve të përgjithshme të KMPD. Po ashtu janë regjistruar edhe 12 raste të diskriminimit indirekt (21%), tetë raste të ngacmimit (14%), dy raste të nxitjes, thirrjes dhe udhëzimit për diskriminim, po aq raste të ngacmimit seksual dhe një rast i segregimit.

Ndryshe, KMPD vitin e kaluar ka trajtuar gjithsej 559 lëndë për mbrojtje nga diskriminimi, prej të cilave 448 të reja, të hapura në vitin 2025 dhe 111 të bartura nga viti paraprak 2024. Nga rastet e reja, 444 janë ankesa të paraqitura nga qytetarë dhe organizata, ndërsa katër janë procedura të nisura nga vetë KMPD me iniciativë zyrtare.