Shkup, 7 gusht – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pasi në pikën kufitare të Tabanocit janë vendosur tabela shtetërore pa gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë si shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës.
Sipas BDI-së, heqja e gjuhës shqipe nga tabelat shtetërore përbën shkelje të drejtpërdrejtë të detyrimeve ligjore dhe kushtetuese për përdorimin e gjuhëve zyrtare në vend.
“Ky është një provokim i rëndë dhe dëshmi e qartë e pafuqisë së VLEN-it për t’i mbrojtur edhe të drejtat më elementare të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e partisë.
BDI kërkon që gjuha shqipe të rikthehet menjëherë në tabelat shtetërore në Tabanoc dhe institucionet përgjegjëse të kërkojnë falje publike për këtë, sipas tyre, shkelje të ligjit.
Në reagim, partia mban përgjegjës VLEN-in, duke vlerësuar se në vend të reagimit institucional, po ofrohen arsyetime dhe publikohen materiale që, sipas BDI-së, synojnë të relativizojnë situatën.
“Shqipja është gjuhë zyrtare dhe përdorimi i saj është detyrim ligjor, jo çështje vullneti politik”, thekson BDI, duke pyetur: “Pse hesht VLEN përballë këtij skandali?




