Home / Rajon / Shqipëri / Rama: Sa herë nafta do kalojë 220 lekë për litër, do të ulim akcizën me 20%

Rama: Sa herë nafta do kalojë 220 lekë për litër, do të ulim akcizën me 20%

Ditën e sotme, në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, kryeministri Edi Rama, paralajmëroi se mund të ketë rritje të mëtejshme të çmimit të naftës në vend për shkak të krizës në Lindjen e Mesme.

Kryeministri tha se do të ndërhyjnë në akcizë nëse çmimi i naftës do të kalojë tavanin e 220 lekëve për litër.

“Siç kemi mësuar nga ato që ndodhin larg nesh, jetojmë në një botë të lidhur në zinxhirin e vet ekonomik saqë çdo krizë larg nesh projektohet edhe tek ne. E kam fjalën për atë që po shfaqet si impakt i drejtpërdrejtë të luftës së SHBA dhe Izraeli i kanë hapur regjimit kriminal të Teherani. Impakt në të gjitha pompat e furnizimit me naftë e benzinë. Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet të rritet edhe më tutje dhe për këtë arsye kemi vendosur në lëvizje Bordin e Transparencës dhe kemi marrë vendim që për çdo ditë ku çmimi do kërcejë mbi tavanin e 220 lekë do ketë menjëherë një ulje me 20 % të akcizës së naftës. Fatmirësisht jemi në kushte kur kemi një borxh dhe deficit jo vetëm nën kontroll por edhe të ulët që na mundëson të kemi hapësirë për të mos lënë vetëm askënd, duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë”, tha Rama.

Ai konfirmoi ngritjen e një entiteti shtetëror që do të ndërhyjë në tregun e naftës.

“Do të krijohet së shpejti një entitet shtetëror që do të ndërhyjë në tregun e naftës. Po punohet për këtë dhe që do të marrë përsipër një veprimtari që do të shkojë nga garantimi i rezervës shtetërore te monitorimi i vazhdueshëm i tregut dhe patjetër edhe tek sigurimi i furnizimit për të mos lejuar asnjë spekulim me çmimet. Ndërkohë që jemi në fund të një procesi që do të materializohet në një apo dy muajt në vijim për të futur dy komponentë të rinj në monitorimin e tregut të naftës, që do të sjellin rezultate të shpejta edhe në aspektin e evazionit dhe kontrabandës së naftës, e cila vazhdon të jetë prezente në sektor”, shtoi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *