Polemikat për cilësinë e ujit në Gostivar vazhdojnë me akuza të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës. LSDM akuzon se mbi 50 vendbanime kanë ujë të ndotur, duke fajësuar Hristijan Mickoskin dhe Ministrin e Shëndetësisë, Sasho Klekovski, për gjendjen. Sipas partisë opozitare, në vend të përgjegjësisë, qeveria vazhdon me improvizime që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe me, siç thonë ata, marrëveshje biznesi në kurriz të popullit.
“Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëron “analiza më të shpeshta” të ujit në Gostivar. Që kur ministri i Policisë është përgjegjës për analizën e ujit? Nuk ka vend në botë ku një ministër i Policisë, i cili deri dje merrej me hiperklorimin, sot të paraqitet si ekspert për analizat e ujit. Ku është ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski? A është edhe ai në ekskursion si Mickoski? Pyetja më e rëndësishme është: çfarë kanë bërë deri më tani? Pse analizat paralajmërohen vetëm tani, pasi mijëra qytetarë përfunduan në ambulanca dhe spitale?”, deklaroi Simona Cvetanovski, LSDMSimona Cvetanovski, LSDM.
VMRO-DPMNE i cilëson këto akuza si përpjekje për përfitime politike dhe një teatër politik. Nga partia e Mickoskit, thonë se gjatë kohës kur LSDM ishte në qeveri ka pasur raste të evidentuara të ujit të pasigurt në disa vendbanime, për të cilat, sipas saj, qytetarët nuk janë informuar. VMRO-DPMNE kërkon nga LSDM dhe Venko Filipçe të sqarojnë pse nuk kanë vepruar në kohën kur drejtonin institucionet.
“LSDM-ja dhe Venko Filipçe u detyrohen përgjigje tre pyetjeve të thjeshta. Pse nuk i njoftuan qytetarët për gjetjet? Sa prej këtyre rasteve janë eliminuar plotësisht? Dhe pyetja e tretë, më e rëndësishmja: me çfarë fytyre kërkojnë përgjegjësi për diçka që vetë nuk e kanë zgjidhur për vite me radhë? Nuk mund të jenë po të njëjtët njerëz që për vite ishin në pushtet, ndërsa sot të paraqiten sikur nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për gjendjen që lanë pas”, tha Valentin Manasievski, VMRO-DPMNE.
Përplasjet mes partive po vazhdojnë për të disatën ditë me radhë, ndërsa banorët e Gostivarit, vazhdojnë të mbeten pa ujë për pije dhe në mungesë të një informacioni të saktë se kur uji nga çezmat e tyre, do të jetë i sigurt për përdorim./Alsat




