Debati politik rreth luftës së vitit 2001 ka marrë sërish hov pas pyetjes që Zeqirija Ibrahimi ia drejtoi Ali Ahmetit: “Për çfarë u bë lufta e vitit 2001?”. Një pyetje e tillë, në pamje të parë, mund të duket legjitime dhe e nevojshme për reflektim historik. Megjithatë, para se t’ua drejtojë të tjerëve këtë pyetje, Ibrahimi do të duhej t’ia bënte vetes një pyetje edhe më themelore: ku ishte ai gjatë vitit 2001 dhe çfarë qëndrimi mbajti në një nga momentet më vendimtare të historisë moderne të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut? shkruan V3.
Lufta e vitit 2001 nuk ishte një debat akademik dhe as një ushtrim teorik. Ajo ishte produkt i një pakënaqësie të akumuluar për dekada për shkak të diskriminimit politik, institucional dhe kushtetues të shqiptarëve. Konflikti përfundoi me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila solli ndryshime të rëndësishme në përfaqësimin e shqiptarëve, përdorimin e gjuhës shqipe dhe ndërtimin e një koncepti më inkluziv të shtetit. Pikërisht këto janë arritjet që sot njihen gjerësisht si rezultatet kryesore të vitit 2001.
Ironia qëndron në faktin se vetë Zeqirija Ibrahimi, në shkrimet e tij të mëhershme, ka pranuar se paraqitja e UÇK-së në vitin 2001 dhe luftimet e saj imponuan një proces negociues që çoi drejt Marrëveshjes së Ohrit. Ai ka shkruar se lufta krijoi një realitet të ri politik që detyroi shtetin dhe faktorët ndërkombëtarë të pranojnë reforma të rëndësishme.
Prandaj, kur sot pyet “për çfarë u bë lufta?”, ai në fakt po vë në pikëpyetje një proces historik për të cilin vetë ka shkruar dhe analizuar më parë. Nëse qëllimi është të diskutohet se sa janë realizuar idealet e vitit 2001, atëherë kjo është një çështje krejt tjetër. Shumë analistë dhe pjesëmarrës të asaj kohe kanë argumentuar se Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar plotësisht dhe se një pjesë e aspiratave shqiptare kanë mbetur të parealizuara.
Por dështimet e politikës pas vitit 2001 nuk e zhbëjnë arsyen pse ndodhi lufta. Ashtu siç mangësitë në zbatimin e një marrëveshjeje nuk e mohojnë nevojën që e solli atë marrëveshje. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut sot gëzojnë më shumë të drejta politike dhe institucionale sesa para vitit 2001, pikërisht për shkak të presionit që krijoi ai konflikt dhe marrëveshja që pasoi.
Në këtë kontekst, pyetja më e ndershme politike nuk është vetëm “për çfarë u bë lufta?”, por edhe “ku ishin ata që sot e relativizojnë atë?”. Ku ishin kur të rinjtë shqiptarë luftonin në malet e Tetovës, Kumanovës dhe Shkupit? Ku ishin kur familjet shqiptare përballeshin me pasojat e konfliktit? Dhe çfarë kontributi dhanë ata në momentet kur po vendosej fati politik i shqiptarëve?
Historia nuk matet vetëm me pyetjet që bëhen pas përfundimit të betejave. Ajo matet edhe me pozicionin që secili ka mbajtur kur ato beteja zhvilloheshin. Për këtë arsye, para se të kërkojë përgjigje nga Ali Ahmeti, Zeqirija Ibrahimi do të duhej të jepte përgjigje për rolin, qëndrimin dhe angazhimin e vet gjatë vitit 2001. Vetëm atëherë debati do të ishte i plotë, i sinqertë dhe i drejtë ndaj historisë./V3




