Privohen nga liria dy persona, në automjet u gjetën pushkë gjuetie

Dy persona nga rrethina e Shkupit janë privuar nga liria mbrëmjen e së premtes në rrugën mes Shishovës dhe Gërçecit.

Nga MPB bëjnë të ditur se gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin kanë gjetur dy pushkë gjuetie, 22 fishekë dhe sende të tjera.

Të dy janë ndaluar në stacion policor, ndërsa pas dokumentimit të rastit ndaj tyre do të ngrihen kallëzimet përkatëse, transmeton TV21.

“Më 12.06.2026, në orën 23:45, në rrugën ndërmjet fsh. Shishovë dhe fsh. Gërçec, në territorin e Komunës së Sarajit, nëpunës policorë nga Njësiti i Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup i privuan nga liria N.S. (54) nga fsh. Saraj dhe R.S. (58) nga fsh. Krushopek.Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e pasagjerëve “Hjundai” me targa të Shkupit, të cilin e drejtonte R.S., ndërsa N.S. ishte pasagjer, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan dy pushkë gjuetie të markës “Baikal”, të kalibrit 12 mm, 22 fishekë gjuetie dhe sende të tjera.

Personat janë ndaluar në stacion policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të parashtrohet parashtresë përkatëse”, theksojnë nga MPB.