Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor sapo e ka dorëzuar në kufi tek autoritetet shqiptare, Vlora Hysenin, shefe e Shërbimit Inteligjent Shqiptar (SHISH).
Kështu kanë bërë të ditur burime të Gazeta Blic brenda Policisë së Kosovës. “Vlora Hyseni ndodhej në Kosovë. Para pak çastesh Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor e ka dorëzuar tek autoritetet shqiptare”, thonë këto burime.
Zyrtarisht nga policia e Kosovës nuk kanë dhënë detaje.
Sot, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, në kuadër të hetimit të zgjeruar që po zhvillon Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Sipas të dhënave të zbardhura nga procesi hetimor, Hyseni dyshohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Hetuesit kanë ushtruar kontroll në banesën e saj, ndërsa masa e sigurisë mbetet e paekzekutuar pasi zyrtarja ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Vlora Hyseni gëzon një përvojë të gjatë në sektorin e sigurisë kombëtare dhe inteligjencës. Ajo ka shërbyer për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe, prej vitit 2019, postin e zëvendësdrejtores së këtij institucioni. Më 30 qershor 2021, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri Albin Kurti morën vendim për shkarkimin e saj nga detyra në AKI. Në njoftimin zyrtar të asaj kohe nuk u dhanë arsyetime të detajuara, por Hyseni u obligua ligjërisht të dorëzonte të gjitha mjetet e materialet dhe të ruante rreptësisht informacionin e klasifikuar.
Pas largimit nga Kosova, Hyseni u angazhua në Shqipëri si këshilltare e Kryeministrit Edi Rama për çështjet e sigurisë. Më 17 mars 2023, Kryeministri e propozoi atë për drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit, propozim që u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 3 prill 2023, duke zëvendësuar në këtë detyrë Helidon Bendon. Pezullimi i saj nga detyra dhe masa e sigurisë e caktuar nga GJKKO vijnë pas më shumë se tre vitesh në krye të SHISH-it, ndërsa organet e drejtësisë po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe provave të çështjes.




