Në sheshin “Skënderbej” në Tiranë është mbajtur një protestë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Organizatorët, Kol Marku dhe Kristian Nela, kanë bërë të ditur se pas tubimit në shesh, pjesëmarrësit kanë marshuar drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut. Sipas Markut, protesta nuk ka prapavijë politike dhe ka për qëllim shprehjen e solidaritetit me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe përdorimit të gjuhës shqipe. Nela ka deklaruar se organizimi është realizuar nga vetë studentët, për të dërguar mesazhin se “interesi kombëtar duhet të jetë mbi çdo dallim tjetër”. Në protestë kanë marrë pjesë studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
SALI: VJEN DRAFTI-FINAL
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ndërkohë në një paraqitje televizive ka njoftuar se do të sillet një draft-final për provimin e jurisprudencës. “A do të ketë nevojë ajo zgjidhje të shkojë në Komisionin e Venecias apo jo, duhet të sillet një zgjidhje finale nëse ka nevojë të shkojë në këtë Komision. Në deklaratën e fundit thash se brenda një jave do të ketë zgjidhjen finale që duhet të jetë nga ekspertët, por ne e kemi dhënë mbështetjen politike që duhet të ketë ky vendim. Ekspertët, në bazë të ndryshimeve për dhënien e provimit, mund të konstatojnë nëse ka apo nuk ka nevojë të shkojë në Komisionin e Venecias”, ka thënë Sali.
Sipas tij, është irelevante nëse do të kalojë edhe një muaj plus në Komisionin e Venecias apo do të miratohet dhe do të kalojë direkt në implementim. “Kam thënë se zgjidhjet e shpejta shpesh na japin pasoja, si mosharmonizimi i ligjeve që ka të bëjë me Ligjin për gjuhët, pasi pastaj paraqiten studentët, zanatlinjtë, sportistët. Kemi bërë analizën se sa lloje të provimeve shtetërore ka, ku duhet të implementohet gjuha shqipe”, ka shtuar zëvendëskryeministri.
KRITIKA NDAJ PROTESTUESVE NGA TIRANA DHE PRISHTINA
Sali ka drejtuar kritika edhe ndaj studentëve nga Tirana dhe Prishtina që morën pjesë në protestën e fundit në Shkup, duke pohuar se ata “nuk e dinin pse kanë ardhur për të protestuar”. Madje, sipas tij, një student nga Shqipëria i ka quajtur “maqedonasit” – në vend të emërtimit “shqiptarët nga Maqedonia e Veriut”. Sipas zëvendëskryeministrit, gjuha shqipe nuk është rrezikuar në këto dy vite. “Nuk ka asnjë dallim dhe studentët protestojnë në Tiranë dhe Prishtinë. Krejt është në rregull, entuziazmi apo solidarizimi me studentët shqiptarë këtu, por nëse i pyesni pse kanë ardhur të protestojnë, ata nuk e dinë as vetë”, ka thënë ai.
“Studenti shqiptar i cili ka ardhur të protestojë këtu na quan ‘maqedonsit’. Nuk e di pse ka ardhur të protestojë. Ai duhet të na emërtojë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Terminologjia me të cilën shprehet për shqiptarët e Maqedonisë është e gabuar. Dhe nuk mund t’i përkrahin ‘maqedonsit’; ai ka ardhur t’i përkrahë shqiptarët studentë në Maqedoninë e Veriut. Nëse kështu trajtohemi, i bie se ka më tepër propagandë sesa protestë reale e nevojshme për politikën këtu. Ne kemi marrë përgjegjësi politike, ne përgjigjemi”, ka thënë Sali.
LLOGA: PËRGJEGJËSIA ËSHTË E QEVERISË AKTUALE
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka theksuar se gjatë mandatit të tij si ministër kishte dorëzuar të gjitha ndryshimet ligjore në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, të miratuara nga qeveria. Sipas Llogës, kjo procedurë nuk është çuar më tej nga ana e parlamentit për shkak të zgjedhjeve, dhe kjo ishte përgjegjësi e qeverisë së ardhshme. Mirëpo, sipas tij, fatkeqësisht ndodhi e kundërta – ato u tërhoqën nga procedura parlamentare pa asnjë justifikim.




