Kryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka përshëndetur investimin prej 200 milionë eurosh për ndërtimin e rrugës Shkup–Bllacë–Prishtinë, duke e cilësuar atë si dëshmi të qeverisjes që realizon premtimet dhe sjell projekte konkrete për qytetarët.
Në një postim në rrjetet sociale, Mexhiti ka shkruar se “Shkupi tashmë më afër Prishtinës”, duke theksuar se ky projekt paraqet dallimin mes premtimeve dhe veprave konkrete në terren.
“Ky është dallimi mes fjalëve dhe veprave. Mes premtimeve t’thata dhe projekteve që ndryshojnë jetën e qytetarëve. Kjo është qeverisja jonë. Çdo premtim i mbajtur, çdo angazhim i kthyer në punë”, ka deklaruar Mexhiti.
Ai ka shtuar se investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët.
“Po ndërtojmë kilometra rrugë, sepse kështu afrojmë njerëz, krijojmë mundësi dhe hapim horizonte të reja për brezat që vijnë”, ka theksuar Mexhiti, duke uruar për realizimin e këtij projekti rrugor që do të lidhë më ngushtë Shkupin me Prishtinën.




