Shpërthime, tym dhe flakë në Moskë. Dy depo të Wildberries u goditën nga sulmet ajrore ukrainase gjatë natës, ndërsa një tjetër, që me sa duket është e lidhur me shitësin më të madh online të Rusisë, u dëmtua gjithashtu pranë Moskës.
Ushtria e Kievit ka synuar objektet e operuara nga kompania, shpesh e quajtur si “Amazon” e Rusisë, në javët e fundit.
Të paktën pesë persona u vranë dhe 10 të tjerë u plagosën në një vend industrial rreth 69 km në jug të Kremlinit, thanë zyrtarët vendas, pa konfirmuar nëse ai drejtohej nga Wildberries.
Diku tjetër, zyrtarët konfirmuan se dy vende të tjera të Wildberries u goditën në rajonet e Shën Petersburgut dhe Tverit. Kievi thotë se depot furnizojnë ushtrinë ruse, gjë që Moska e mohon.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte kapur dhe shkatërruar 320 dronë gjatë natës. Ndërkohë, sulmet e nisura nga Rusia në të gjithë Ukrainën vranë të paktën katër persona.
Forcat e Moskës kanë goditur shtatë anije mallrash në portin ukrainas të Mykolaivit dhe në Detin e Zi, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.
Rusia është “gjithmonë e gatshme për dialog” dhe mbetet “e hapur për një zgjidhje të negociuar” të konfliktit me Kievin, por “është pala tjetër, Ukraina, që është tërhequr nga negociatat ose është përjashtuar nga pjesëmarrja, duke u sjellë në mënyrë jokonsistente, për ta thënë butë”.
Kështu është shprehur zëvendësministri i Jashtëm rus, Mikhail Galuzin, duke iu përgjigjur akuzave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se qeveria e Vladimir Putinit nuk do paqe, por një luftë të zgjatur.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione kundër Forcave Tokësore Ruse dhe disa subjekteve të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, sipas Aktit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, në lidhje me Iranin, Korenë e Veriut dhe Sirinë.




