Kurti përkujton Nënën Pashke: Simbol i dhimbjes dhe sakrificës së nënave shqiptare gjatë luftës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Nënën Pashke në përvjetorin e vetëflijimit të saj, duke e cilësuar atë simbol të dhimbjes dhe sakrificës së nënave shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

Kurti rikujtoi se bijtë e saj, Gjovalin dhe Milan Markaj, bashkë me 374 civilë shqiptarë, u zhdukën me dhunë nga forcat serbe më 27 prill 1999 në masakrën e Mejës dhe Korenicës. Trupat e tyre u gjetën katër vite më vonë në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë dhe u rivarrosën në vendlindje më 24 maj 2003.

Sipas Kurtit, vetëm tri ditë pas ceremonisë së rivarrimit dhe kryerjes së të pamës për bijtë e saj, Nëna Pashke i dha fund jetës duke i vënë flakën vetes, pasi dhimbja e luftës kishte lënë plagë të thella tek ajo.

Në mesazhin e tij, kryeministri tha se nuk duhet të harrohen asnjëherë viktimat e luftës, personat e zhdukur me dhunë dhe dhimbja që vazhdon ende te familjet e tyre. Ai shprehu solidaritet me nënat dhe familjarët e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, duke nderuar qëndresën dhe sakrificën e tyre.