Kostovski i thotë JO paraleles në shqip, këshilltarët shqiptarë mbivotohen

Këshilltarët shqiptarë të AKI-së dhe VLEN-it në komunën e Butelit kanë lëshuar mbledhjen në mënyrë demonstrative, pasi nuk kanë hasur në mirëkuptim nga kryetari i komunës Darko Kostovski në lidhje me propozimin e tyre që në shkolln fillore “Petar Zdarvkovski Penko”, të vazhdojë të funksionojë paralelja e pestë shqipe.

Kryetari i komunës Darko Kostovski ka thënë se në bazë të numrit të nxënësve që janë banorë të komunës së Butelit, duhet të ketë tri paralele në gjuhën shqipe, por për shkak të mos-politizimit të çështjes ka lejuar që të ketë katër paralele në gjuhën shqipe, të cilët do të numërojnë nga 15-16 nxënës.

“Kryetari e ka ndarë mendjen të mos e respektojë ligjin”, tha mes tjerash këshilltar i AKI-së, Armend Murseli, pasi këshilltarët shqiptarë në komunën e Butelit, ata të VLEN-it dhe AKI-së, lëshuan seancën e sotme komunale. Këshilltarët thonë se ka bazë ligjore që nxënësit që jetojnë afër kësaj shkolle, ndonëse me adresë janë në komunën e Çairit, të mund të regjistrohen në këtë shkollë. Këshilltarët shqiptarë mohojnë kategorikisht se kanë votuar për mbylljen e paraleleve në këtë komunë.

“Dëshiroj ta bëj të qartë se ne si këshilltarë shqiptarë, asnjëherë nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi për mbylljen e asnjë paraleleje”, tha Albesa Ramani nga VLEN, duke shtuar se janë në koordinim me zv/ministrin e Arsimit për të gjetur zgjidhje.

“Vijoi debati, duhej të përpilojmë neve si këshilltarë një pikë, në të cilën do të duhej ta vendosim në rend të ditës dhe ta votojmë që paralelja në “Penko” të mos mbyllet dhe të vazhdojë me mësim. Ne e përpiluam atë propozim…Përgjigjja ishte decide se nuk mundet të vazhdojë ajo paralele dhe se është më fakt i kryer, e nxorëm në votim, normalisht na mbivotuan dhe na rrëzuan poshtë si pikë të rendit të ditës”, u shpreh Linkest Lumani nga AKI.

Ndërkohë ministrja e arsimit Vesna Janevaka thja se është e njoftuar me problemin dhe sipas saj, problemi nuk është vetëm te nxënësit shqiptarë, por edhe te ata maqedonas.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për nxënësit shqiptarë. Bëhet fjalë për nxënësit shqiptarë dhe maqedonas. Sa unë e di, diçka nuk shkon me rishpërndarjen rajonale, por kryetarët e komunave dhe drejtorët e shkollave duhet të zbatojnë ligjin. Duhetë të vendoset rend, pra prandaj u prezantua rishpërndarja e zonave. Janë dy komuna të ndara. Njëra është komuna e Çairit, dhe tjetra është komuna e Butelit. Fëmijët që janë nga komuna e Çairit, qofshin ato maqedonas, turq, rom apo çfarë do tjetër, duhet të arsimohen në komunën e Çairit, ndërsa fëmijët që janë në komunën e Butelit, duhet të mësojnë në shkollat e komunës në Butelit” tha Janevska. Ajo gjithashtu bëri me dije se zgjidhje këtij problemi mund ti japin ekskluzivisht kryetarët e komunave Çair dhe Butel.

“Sa i përket fëmijëve që kanë vëllezër apo motra, personalisht, mendoj se mund të bëhet përjashti. Megjithatë duhet t’ju përkujtoj se kjo çështje i tangon kryetarët e komunave, ato duhet ta zgjedhin problemin, Ministria këtu nuk ka kompetenca”, theksoi ministrja e arsimit Vensa Janevska.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës për vitin shkollor 2024/2025, nga 5.276 nxënës në shkollat fillore të Butelit, 2.971, ose 56,31 për qind, janë me përkatësi etnike shqiptare. Shkolla “Penko” ka mbi 1.700 nxënës, prej të cilëve rreth 90 për qind shqiptarë. Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, tha se ligji lejon pranimin e nxënësve nga komuna të tjera kur banojnë pranë shkollës dhe kur numri i nxënësve në paralele është i ulët. Sipas tij, nëse paralelja numëron 18 nxënës, nuk ka arsye për mbylljen e saj, dhe zgjidhja mund të gjendet nëse shkolla dhe komuna i drejtohen ministrisë për miratim. Drejtoresha e shkollës, Mevlide Kryeziu, ka thënë se mbyllja e paraleles erdhi për shkak të numrit të pamjaftueshëm të nxënësve që i takojnë territorit të komunës së Butelit dhe zonës së shkollës.(KOHA.mk)