KALOI EDHE NJË E ENJTE! Provimi i Jurisprudencës ende pret zgjidhje

Para një jave, të enjten e 28 majit, ishte dita për të cilën flitej se mund të sillte zgjidhjen për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sot është sërish e enjte. Ndërmjet dy të enjteve nuk u shfaq asnjë dokument mbi tryezë, ndërsa premtimi tani ka marrë një adresë të re kohore, javën që vjen. Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se të hënën do të mbajë takim në kabinetin e tij, ku pritet të arrihet marrëveshja mes partnerëve të koalicionit. Ai sqaroi se ende nuk e ka parë propozimin e grupit të ekspertëve kushtetues mbi të cilin do të diskutohet, çka e bën takimin e të hënës momentin e parë kur formula do të shihet nga krye e koalicionit.

“Le ta shohim propozimin. Ende nuk e kam parë. Mendoj se javën e ardhshme, të hënën, është caktuar një takim në kabinetin tim për prezantimin e propozimit”, tha shkurt Mickoski.

TEORIA NË SHQIP, PRAKTIKA NË MAQEDONISHT?!

Konturat e zgjidhjes që pritet të diskutohet i kishte përshkruar para disa ditësh zv/kryeministri Bekim Sali. Në një paraqitje televizive, ai paralajmëroi një model me dy shtigje. Pjesa teorike e provimit do të jepej në gjuhën amtare të kandidatit, ndërsa pjesa praktike, të ashtuquajturat studime të rastit para komisionit, do të mbetej në maqedonisht. Sipas tij, kjo formulë u përgjigjet kërkesave të kandidatëve dhe njëkohësisht ruan kornizën kushtetuese, që parasheh se në sistemin e drejtësisë dokumentet mbahen në maqedonisht.

“Kemi të bëjmë vetëm me pjesën praktike, ku lëndët që do të jepen në test do të jenë në gjuhën maqedonase. Pjesën tjetër teorike ne e kemi zgjidhur, kush është anëtar i komisionit, si do të zgjidhen anëtarët, të gjitha këto ndryshime janë të parapara. Pra, pjesa teorike mbetet në gjuhën shqipe”, tha Sali. Për t’i dhënë procesit mbështetje edhe nga jashtë, pushteti ekzekutiv njoftoi se propozim-zgjidhjen do ta dorëzojë te Komisioni i Venecias për mendim.

Çështja ka pasur jehonë të gjerë jashtë sallave të takimeve. Ajo ka nxitur disa herë demonstrata të studentëve shqiptarë në Maqedoni, të cilët në protestën e fundit në Shkup u përkrahën nga kolegët e tyre nga Kosova dhe Shqipëria, shenjë se tema ka kapërcyer caqet e debatit të brendshëm dhe ka marrë dimension rajonal.

Paralelisht, ajo është bërë temë e një përballjeje politike mes VLEN-it qeveritar dhe BDI-së opozitare. BDI mbështeti publikisht protestat dhe akuzoi pushtetin se po e shkel ligjin për gjuhët, duke u vënë, sipas saj, në rolin e shërbëtorit të VMRO-DPMNE-së. BDI e kundërshton vetë premisën se nevojitet një formulë e re. Nënkryetari i partisë, Bujar Osmani, vlerëson se nuk ka nevojë për zgjidhje të veçantë, pasi kjo tashmë parashihet me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe mjafton vetëm të zbatohet. Sipas tij, qeveria po synon ta copëtojë përdorimin e shqipes, duke e lënë atë në varësi të vullnetit të kryeministrit se ku lejohet e ku jo.

VLEN, ndërkohë është përgjigjur me një varg konferencash për shtyp. Partia ua adresoi përgjegjësinë ministrave nga Reçica e Vogël, të cilët për vite udhëhoqën resorin e Drejtësisë.

“Seriali i ministrave të drejtësisë nga BDI-ja nuk përfundon me Blerim Bexhetin, Adnan Jasharin dhe Valdet Xhaferin. Por provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe mbeti aty ku e gjetën. Valdet Xhaferi nuk ka qenë mysafir në Ministrinë e Drejtësisë, ka qenë ministër, me mandat dhe mundësi për të vepruar, megjithatë edhe gjatë mandatit të tij çështja mbeti pa zgjidhje”, thuhet në komunikatën e fundit të VLEN-it.

Nga aty paralajmërojnë se zgjidhja do të jetë sistemike dhe se ambicia shkon përtej një provimi të vetëm. Sipas tyre, në të ardhmen edhe të gjitha provimet profesionale do të mund të jepen në shqip. “Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe është vetëm fillimi. Synimi ynë është që të gjitha provimet profesionale të mund të jepen edhe në shqip. Shqiptarët nuk duan më zhurmë, por zgjidhje konkrete”, porositi VLEN.

DIMITRIEVSKI: ZGJIDHJA PËR JURISPRUDENCËN NË PËRPUTHJE ME KUSHTETUTËN

Llogaritja, megjithatë, nuk varet vetëm nga partnerët shqiptarë. Resorin e drejtësisë e menaxhon një kuadër i lëvizjes ZNAM të Maksim Dimitrievskit, faktor që i jep peshë specifike qëndrimit të kësaj partie. Dimitrievski, në një intervistë për javoren “Fokus”, theksoi se ZNAM ka pasur që në fillim një qëndrim parimor. Sipas tij, provimi duhet të mbetet brenda procedurave ligjore dhe standardeve që vlejnë njësoj për të gjithë qytetarët.

“Ne nuk e ndajmë çështjen mbi baza etnike, nuk ekzistojnë juristë ‘maqedonas’ ose ‘shqiptarë’, por qytetarë dhe juristë që duhet të plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj. Kushdo që plotëson kriteret ligjore dhe posedon arsimimin e duhur juridik, ka të drejtë të japë provimin, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e shtetit”, tha Dimitrievski. Ai shtoi se ministri i Drejtësisë ka theksuar disa herë se Ministria nuk do të mbështesë zgjidhje në kundërshtim me sistemin juridik ose që krijojnë precedentë jashtë kornizës ligjore. Po ashtu, kujtoi qëndrimin e Mickoskit se qeveria do të kërkojë zgjidhje sistemike përmes institucioneve dhe në bashkëpunim me Komisionin e Venecias.

Kështu, ndërsa kjo e enjte mbyllet ashtu siç nisi e enjtja e shkuar, me një premtim të radhitur për javën pasuese, vëmendja zhvendoset te e hëna në kabinetin e kryeministrit. Atëherë do të kuptohet nëse formula del më në fund para krerëve të koalicionit, apo nëse kalendari do të shtojë edhe një datë në listën e pritjeve.

STUDENTËT E KOSOVËS PROTESTË PARA AMBASADËS SË MAQEDONISË NË PRISHTINË

Studentët e Kosovës, ndërkohë kanë paralajmëruar organizimin e një proteste paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, në shenjë mbështetjeje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe për mbrojtjen e së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore. Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta do të mbahet më 5 qershor, duke filluar nga ora 14:00, ndërsa synimi i saj është të ngrejë zërin kundër asaj që ata e cilësojnë si cenim të të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në provime të tjera shtetërore.

Në thirrjen publike, studentët theksojnë se gjuha shqipe është e drejtë kushtetuese dhe se respektimi i saj duhet të garantohet në të gjitha institucionet dhe procedurat shtetërore. Ata shprehen se protesta do të jetë paqësore dhe synon të dërgojë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Organizatorët u kanë bërë thirrje studentëve, organizatave studentore, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave gjuhësore dhe arsimore të shqiptarëve. Kjo protestë vjen pas dy protestave në Shkup, pastaj në Tiranë dhe në kohën kur çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut ka nxitur reagime të shumta nga studentët, organizatat civile dhe faktorë të ndryshëm politikë në rajon. (koha.mk)