Home / Rajon / Haziri thotë se s’do t’i shkojnë VV-së në takime: S’ka nevojë të humbet kohë

Haziri thotë se s’do t’i shkojnë VV-së në takime: S’ka nevojë të humbet kohë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se nuk do t’i shkojnë në takime Lëvizjes Vetëvendosje, pasi tha se “s’ka nevojë të humbet kohë”.

Ai ka deklaruar se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar.

“Nuk kemi parë qëllim për t’u takuar sa për t’u parë. Qëndrimi i LDK-së nga debati është konfirmuar dhe i njëjti. Meqë s’kemi ndërruar qëndrim politik, s’kemi nevojë t’i shkojmë askujt në takim e as të ndihemi të përdorur. Ky qëndrim politik është zbardhur dhe konfirmuar nga z.Abdixhiku. Ne nuk shohim asnjë qëllim”, ka thënë Haziri.

Për konstituimin e Kuvendit ai ka thënë se është detyrë e partisë fituese të zgjedhjeve dhe se askush nuk e ka ndërmend me “i dhënë partisë së parë oksigjen politik”.

“Nuk duhet të sillet me këtë sjellje politike. Për konstituimin e Kuvendit sepse askush s’e ka ndërmend t’i japë partisë së parë oksigjen politik në kohën kur del në holl, bën me gisht dhe vazhdon…Kurti e ka konfirmuar se po punon me 48 deputetë dhe me komunitete etnike, me të cilët po ndërton marrëveshje të interesit politik. Atyre iu ka thënë se nuk i ndërron partnerët në Qeveri dhe ‘ju duhet të vini të më ndihmoni’”, ka shtuar Haziri.

Ai ka thënë se është dashur të ndërtohet mekanizëm për dialog.

Haziri ka thënë se qytetari i Kosovës është “helmuar me politikë përçarëse”.

Ai ka thënë se kjo vërehet veçanërisht në vende më të largëta.

“Sa më larg Prishtinës që është, merret më seriozisht puna. Është e panatyrshme, e padobimshe, që për fotografi në mure me u përça pppullata. Në kohën kur ky popull ka bërë dy herë pajtime të mëdha…Duhet shëruar. Sa kohë merr nuk e di”, ka thënë Haziri. (Marrë nga KTV – koha.net)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *