Haradinaj: Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur

Haradinaj me kritika të ashpra ndaj qeverisjes, rritjes së çmimeve dhe gjendjes ekonomike; bën thirrje për ndryshim përmes votës.

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes politike dhe ekonomike në vend, duke e cilësuar si “jonormale” mënyrën e qeverisjes dhe funksionimit institucional.

Ai theksoi se për një vit të tërë vendi është qeverisur në kundërshtim me normat ligjore e kushtetuese, ndërsa qytetarët po përballen me varfëri, emigrim dhe vështirësi për të përballuar jetesën. Sipas tij, fokusi i debatit publik është zhvendosur nga problemet reale të qytetarëve drejt temave politike, duke lënë në harresë nevojat e përditshme.