Gjykata e dënoi sërish me 20 muaj burg pronarin e kompanisë “Besa Trans”, Bekim Haxhiu

Përfundoi rigjykimi për rastin “Besa Trans”. Gjykata Penale e Shkupit sërish e shpalli fajtor pronarin e kompanisë Bekim Haxhiu për falsifikim të certifikatës së licencës dhe sërish e dënoi me 20 muaj burg. Ndërkohë kompania obligohet të japë 800 mijë denarë.

Rasti nuk ka të bëjë me aksidentin, por falsifikim të certifikatës së licencës për autobusin e aksidentuar në Bullgari në nëntor të vitit 2021 ku humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan. Ashtu si në gjykimin e parë, palët qëndruan në pozitat e tyre. Në fjalët përfundimtare, organi i akuzës kërkoi dënimin e Bekim Haxhiut dhe kompanisë “Besa Trans”, pasi autobusi i aksidentuar ka kaluar kufirin me certifikatë licence të falsifikuar, njofton Alsat.mk.

“Mbetem në tërësi në akuzën e precizuar, pasi i akuzuari e ka kryer veprën penale. Për çdo autobus është dashur të ketë licencë. Autobusi nuk ka pasur certifikatë licence dhe as është dorëzuar kërkesë për nxjerrjen e certifikatës. Autobusi ka dalë jashtë shtetit me certifikatë licence të autobusëve tjerë”, tha prokurori Zoran Zdravev.