Sekretari gjeneral i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka akuzuar kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, dhe koalicionin VLEN se po mbrojnë, siç u shpreh ai, konceptin e “Botës Serbe”, duke refuzuar publikimin e pamjeve të incidentit të ndodhur në Parlament.
Reagimi i Ademit vjen në vazhdën e debatit të hapur politik rreth përplasjes së ndodhur në seancën parlamentare dhe polemikave që pasuan, si dhe mosdorëzimit të video-pamjeve të incidentit të shkaktuar nga Stoilkoviqi kundrejt deputetëve të opozitës.
Sipas Ademit, mosdorëzimi i pamjeve nga ana e kryetarit të Parlamentit nuk është vetëm shmangie e një detyrimi ligjor, por edhe përpjekje për të mbrojtur ministrin Ivan Stoilkoviç nga, siç e cilëson ai, “turpi publik”.
“Afrim Gashi dhe VLEN janë në mbrojtje të hapur të ‘Botës serbe’. Afrimi, edhe pse e ka detyrim ligjor, nuk i jep pamjet nga incidenti në Parlamenr, duke e shpëtuar kështu Stoillkoviçin nga turpi publik”, thuhet në reagimin e Ademit.
Ndryshe, në përgjigjen që Gashi ia ka dërguar koordinatorit të grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovskti, thuhet se incizimet nga holli i Kuvendit i nënshtrohen Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe për këtë arsye nuk do të dorëzohen që të shikohen.
“Lidhur me kërkesën për video incizimin nga paradhoma e sallës “Maqedonia” për periudhën nga ora 17:00 deri në orën 19:00, 13.07.2026, ju lutem ta keni parasysh nenin 94, paragrafi (1) të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për të cilën arsye Kuvendi nuk ka bazë ligjore t’ua dorëzojë këtë video incizim. Konkretisht, në dispozitën e theksuar është përcaktuar që kontrolluesi, Kuvendi, do të jep të dhëna personale për përdorim nga përdorues për rast konkret, dhe në bazë të kërkesës me shkrim nga përdoruesi, nëse ai përdorues në pajtim me ligjin është i autorizuar që t’i përpunojë ato të dhëna personale”, huhet në letrën e Gashit drejtuar Spasovskit.




