Dauti: Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po diskriminohen, nuk do të tërhiqemi

I ftuar në studion e lajmeve në Syri TV, me gazetarin Arnold Kariqi, studenti nga Tetova, Arion Dauti foli mbi protestën e paralajmëruar të studentëve shqiptarë në Shkup që do të mbahet më 18 Maj, ku u shpreh se diskriminimi ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut po kalon çdo kufi.

Ai deklaroi se studentët nuk ndihen të përfaqësuar nga një shtet që, sipas tij, nuk i trajton si qytetarë të barabartë, ndërsa mbrojti përdorimin e flamurit kombëtar kuqezi në protestë.

Dauti akuzoi politikën shqiptare në Shkup për heshtje dhe kërkoi që deputetët e ministrat shqiptarë të dalin në terren e të marshojnë përkrah studentëve, në vend të deklaratave formale.

Studenti shqiptar zbuloi gjithashtu se protesta ka marrë mbështetje nga Tirana, Prishtina dhe figura ndërkombëtare si Bebe Rexha, ndërsa reagoi ashpër edhe ndaj deklaratave fyese të ministrit për Punët e Jashtme.

Ai theksoi se, studentët nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave për gjuhën shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Pjesë nga deklarata:

Ata, siç duan të thonë, ne jemi të lirë të mbajmë flamurin shqiptar, të veshim bluza me të. Po, dolën disa media dhe institucione që thanë: “Pse nuk e mbani edhe flamurin e Maqedonisë?”. Por kam edhe unë një pyetje për ata: pse ne duhet ta mbajmë flamurin e atij shteti kur ata nuk na trajtojnë si qytetarë të barabartë? Ata duhet të bëjnë që ne ta ndjejmë atë flamur, ashtu siç e ndjejmë flamurin tonë kombëtar kuqezi. Besoj se po më kuptoni.

E vërtetë është ajo. Ne kemi marrë mbështetje nga të gjitha partitë politike këtu, por kjo çështje nuk duhet të politizohet. Këtu në Maqedoninë e Veriut ekziston një tendencë që çdo gjë të politizohet. Unë kërkoj që të gjithë ata që duan të na mbështesin, vërtet të na mbështesin. Duhet të dalin nesër te Ura e Gurit, të marshojnë bashkë me ne, sepse mbështetja e vërtetë është të dalin në terren bashkë me ne, të marshojnë dhe ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet duke shkuar drejt Ministrisë së Drejtësisë. Në asnjë mënyrë tjetër nuk mund ta shoh si mbështetje të vërtetë.

Unë kërkoj mbështetje nga të gjithë politikanët shqiptarë këtu në Maqedoninë e Veriut, sepse në fund të ditës ata na përfaqësojnë në Kuvend. Ne nuk duhet të krijojmë përçarje në asnjë mënyrë, sepse kjo vetëm mund t’u konvenojë atyre që janë kundër kësaj qasjeje dhe kundër kësaj çështjeje për provimin e jurisprudencës. Askënd tjetër nuk e favorizon kjo.

Po, atë koment e pamë dhe unë personalisht u ndjeva shumë i dëshpëruar kur dëgjova një person që e ndjek në rrjetet sociale. Madje isha prezent me një grup organizatorësh të provimit të jurisprudencës kur ma thanë lajmin dhe u ndjeva i zhgënjyer. Por, përveç atij personi, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut ka qenë i mrekullueshëm gjatë gjithë kohës së organizimeve dhe kësaj nisme. Siç e dini edhe ju, presidenti i Republikës së Shqipërisë ishte këtu në Tetovë para disa muajsh, kur pata kënaqësinë ta takoj dhe të bisedojmë për provimin e jurisprudencës. Ai tha se Shqipëria e jep tërësisht mbështetjen e saj. Pra, edhe pse u dëshpërova nga komenti i ministrit të Punëve të Jashtme, kjo nuk na ndalon aspak.

Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Këngëtarja është e famshme në të gjithë botën, e njohur ndërkombëtarisht, dhe fakti që ajo na tregoi mbështetjen e saj në rrjetet sociale na bëri të ndihemi se nuk jemi vetëm të izoluar këtu në Ballkan apo në trojet shqiptare, por se zëri ynë dëgjohet në të gjithë botën në Amerikë, në Evropë, madje edhe në Azi.

Po, sigurisht që kemi mbështetje. Me Këshillin Studentor, që unë e di se kështu quhet në Tiranë, ata thanë se do të organizojnë një autobus që do t’i bashkohet nesër protestës sonë. Po ashtu edhe ata nga Prishtina do të organizojnë dy autobusë, të gatshëm për të ardhur në Shkup dhe për të treguar se jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë janë në mbrojtje të gjuhës shqipe, por të gjitha trojet shqiptare po bashkohen për këtë iniciativë.

Për ditën e nesërme dua vetëm që të gjithë të jeni aty, te Ura e Gurit, të na tregoni mbështetjen tuaj dhe ta bëjmë të qartë se studentët nuk do të ndalen derisa kërkesat tona të plotësohen.