“Botoksi”, zbulohet rrjeti i importit të preparateve false, bastisje në disa lokacione

Në një aksion të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u arrestuan 14 persona të dyshuar për kontrabandë dhe ndërhyrje estetike me fillerë, botoksë dhe preparate të tjera false. Ata dyshohen për veprat penale “bashkim kriminal”, “shkelje të të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorim të paautorizuar të firmës së huaj” dhe “marrje ryshfeti”. Gjatë kontrolleve në disa lokacione, policia sekuestroi sasi të mëdha barnash si fillerë, botoks dhe acid hialuronik, mbi 39 mijë euro, 2.490 franga zvicerane dhe 26 mijë denarë, si dhe një veturë “Porsche”, parfume, telefona celularë dhe sende të tjera.

“U kryen kontrolle në disa lokacione në Shkup, Strumicë dhe Manastir, ku u arrestuan 14 persona. Disa prej tyre ishin të punësuar si mjek në klinikat e Shkupit, pronarë të ordinancave dermatologjike dhe organizatorë të transportit dhe shitjes së mallrave të futura ilegalisht, me status të barnave dhe pajisjeve mjekësore, pa leje nga organet kompetente dhe pa udhëzim apo deklarata përkatëse”, deklaroi Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.

Nga Prokuroria njoftojnë se ka nisur hetimi ndaj 19 personave, të dyshuar për veprimtari kriminale. Tre prej tyre janë mjekë të punësuar në Spitalin “8 Shtatori” dhe një në Klinikën e Dermatologjisë në Shkup. Të dyshuarit e tjerë janë pronarë dhe menaxherë të ordinancave private dermatologjike dhe firmave, si dhe persona që kanë organizuar transportin, magazinimin dhe shitjen e preparateve mjekësore të futura ilegalisht. Të dyshuar janë edhe 6 persona juridikë. Botoksin dhe preparatet e tjera false i kanë sjellë nga Serbia, Koreja dhe Turqia.

“Në kuadër të hetimit, i dyshuar është edhe një nëpunës doganor i cili, me qëllim përfitimi të paligjshëm, në dy raste ka marrë ryshfet për të lejuar hyrjen e mallrave të paligjshme në shtet pa u kryer kontrolli i detyrueshëm doganor. Hetimi përfshin edhe të afërm të disa prej të dyshuarve, të cilët, megjithëse kanë qenë në dijeni për aktivitetet e paligjshme, kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në pranimin, magazinimin dhe ruajtjen e barnave dhe mjeteve mjekësore të paligjshme në banesat e tyre”, thanë nga Prokuroria për Ndjekjen për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

– I dyshuar edhe një nëpunës doganor për marrje ryshfeti
– Në hetim janë përfshirë të afërm të të dyshuarve

Prokuroria kërkon paraburgimi ndaj 12 të dyshuarve dhe masa të tjera për sigurimin e pranisë për pesë të dyshuar të tjerë.