Home / Aktuale / BOTA SERBE PO JEP FRYTET! RMV dhe Serbia do të shkëmbejnë administratorë dhe programe

BOTA SERBE PO JEP FRYTET! RMV dhe Serbia do të shkëmbejnë administratorë dhe programe

Bashkëpunimi midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Serbisë në fushën e administratës publike po hyn në një fazë më konkrete, me aktivitete dhe mekanizma të definuar qartë për realizim, porositi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, nga Beogradi, ku u takua me ministren serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezana Paunoviq, njofton Portalb.mk.

“Takimi i sotëm përfaqëson një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit institucional midis dy vendeve, veçanërisht në menaxhimin e burimeve njerëzore, përgatitjen e politikave dhe zhvillimin e sistemeve informative”, deklaroi Minçev, duke potencuar se korniza e vendosur përmes memorandumit të vitit 2024 tani po përmirësohet me aktivitete konkrete.

Në fokus të takimit të dy ministrive ishte edhe avancimi i sistemit të trajnimeve përmes shkëmbimit të programeve dhe krijimit të një rrjeti të trajnuesve, si dhe lidhja e platformave digjitale për e-mësimin.

“Arritëm pajtueshmëri për shkëmbimin e programeve dhe krijimin e një rrjeti të trajnuesve të përbashkët” tha ministri.

Kujtojmë se bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë gjatë dy viteve të fundit është intensifikuar ndjeshëm, i nxitur kryesisht nga iniciativa “Ballkani i Hapur”. Përveç rritjes së shkëmbimit tregtar, Shkupi dhe Beogradi kanë treguar koordinim në përballimin e krizave, siç ishte ndihma reciproke me energji elektrike dhe grurë gjatë pasojave të krizës globale energjetike dhe asaj në Ukrainë.

Në rrafshin politik dhe infrastrukturor, të dyja vendet kanë avancuar projektet për modernizimin e lidhjeve hekurudhore dhe rrugore që formojnë Korridorin 10, duke e parë këtë si jetik për integrimin ekonomik rajonal. Megjithatë, përtej diplomacisë ekonomike, sfidat mbeten në harmonizimin e plotë të politikave të jashtme, veçanërisht në raport me BE-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *